“Në Kosovë do të veprohet sipas mandatit të OKB-së”, Stoltenberg: Nuk i takon Moskës të ketë veto kundër zgjerimit të NATO-s
Nga Mimoza Golikja
Një takim jozyrtar i Këshillit të Atlantikut të Veriut (NAC) në nivel të ministrave të Punëve të Jashtme u mbajt në Oslo, Norvegji, më 31 maj-01 qershor 2023. Takimi u drejtua nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Duke mbërritur në Bashkinë e Oslos për të kryesuar takimin më 1 qershor 2023, Stoltenberg vuri në dukje se të gjithë aleatët pajtohen që Ukraina do të bëhet anëtare e Aleancës dhe se “nuk i takon Moskës të ketë veto kundër zgjerimit të NATO-s”. Ai shtoi se “më e rëndësishmja, të gjithë aleatët pajtohen se detyra më urgjente dhe më e rëndësishme tani është të sigurohet që Ukraina të mbizotërojë si një komb sovran i pavarur”. Ai tha më tej se “Ne duhet të sigurojmë që historia të mos përsëritet, që ky model i agresionit rus kundër Ukrainës të ndalet me të vërtetë. Prandaj, ne duhet të kemi korniza të vendosura për të ofruar garanci për sigurinë e Ukrainës pas përfundimit të luftës”.
Por Sekretari i Përgjithshëm u takua me kryeministrin norvegjez Jonas Gahr Støre në Oslo më 30 maj 2023, përpara takimit jozyrtar të ministrave të Jashtëm aleatë. Ai falënderoi kryeministrin Gahr Støre për kontributin e konsiderueshëm të Norvegjisë në Aleancë dhe ndihmën e saj të rëndësishme për Ukrainën. “Unë e mirëpres që ju jeni angazhuar për një program ndihme pesë-vjeçare, kjo është diçka që me të vërtetë bën ndryshim, me mbështetje ushtarake, si dhe ndihmë financiare dhe humanitare”, tha Stoltenberg. Ai më tej përshëndeti “rolin kyç të Kryeministrit në drejtimin e punës së NATO-s për mbrojtjen e infrastrukturës sonë kritike nënujore” dhe përgëzoi angazhimin e Norvegjisë për të arritur objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes prej 2 për qind deri në vitin 2026.
Lidhur me dhunën e fundit kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, Stoltenberg tha se “sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. KFOR-i, forcat e NATO-s, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë dhe do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara.”. Ai tha se “Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga forca rezervë operative për Ballkanin Perëndimor dhe të vendosim një batalion shtesë të forcave rezervë në gatishmëri më të lartë, në mënyrë që ata të mund të dislokohen nëse është e nevojshme. Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij.”. Sekretari i Përgjithshëm tha se “dhuna e spraps Kosovën dhe gjithë rajonin dhe i vë në rrezik aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën, të përmbahen nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.
Norvegjia rol thelbësor si një furnizues kryesor i energjisë për Evropën
“Norvegjia jep kontribute të vlefshme për sigurinë tonë të përbashkët. Forcat norvegjeze shërbejnë në grupin tonë të betejës shumëkombëshe në Lituani. Ju kontribuoni në misionet tona të policisë ajrore dhe ju luani një rol kyç në Veriun e Lartë. Ju organizoni ushtrime të rëndësishme siç u demonstrua me vizitën e USS Gerald Ford së fundmi”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg që mbajti me Kryeministrin e Norvegjisë, Jonas Gahr Støre.
Ai informoi se në takim trajtuan luftën e paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës. “Norvegjia ofron ndihmë të konsiderueshme. Unë e mirëpres që jeni angazhuar për një program ndihme pesë-vjeçare. Kjo është diçka që bën vërtet ndryshim. Me mbështetje ushtarake, si dhe ndihma financiare dhe humanitare, kjo është diçka që ne të gjithë e vlerësojmë shumë. Unë kam besim se me mbështetjen e aleatëve të NATO-s, Ukraina mund të vazhdojë të çlirojë tokat e pushtuara dhe të mbizotërojë si një komb sovran, i pavarur.”. Stoltenberg tha se në Samitin e NATO-s në Vilnius, Aleanca do të demonstrojë angazhimin e saj afatgjatë ndaj Ukrainës. “Lufta e ka bërë të qartë rolin thelbësor të Norvegjisë si një furnizues kryesor i energjisë për Evropën”, duke luajtur një rol kyç në drejtimin e punës së NATO-s për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nënujore, përfshirë tubacionet e energjisë. Duke u ndalur tek shpenzimet e Mbrojtjes ai tha kishin diskutuar nevojën për të investuar më shumë në mbrojtje. “Unë mirëpres angazhimin e Norvegjisë për të arritur objektivin prej 2% deri në vitin 2026. Unë pres që kur të takohemi në Vilnius, të biem dakord për një premtim të ri për investime në mbrojtje.”, ku tashmë 2% e PBB-së për mbrojtjen do të jetë një dysheme dh jo më një tavan. “Sepse ne duhet të pranojmë se 2% është një minimum për të përmbushur detyrimet si aleat i NATO-s.”, tha ai.
Dhuna në Kosovë i rrezikon aspiratat euro-atlantike. Do të veprohet në përputhje me mandatin e OKB-së
Duke ju drejtuar situatës në Kosovë, Sekretari i Përgjithshëm, tha se NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, të cilat çuan në plagosjen e 30 paqeruajtësve. “Sulme të tilla janë të papranueshme dhe duhet të ndalen. KFOR-i, forcat e NATO-s, do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të mbrojtur dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë. Dhe ne do të vazhdojmë të veprojmë në mënyrë të paanshme, në përputhje me mandatin tonë të Kombeve të Bashkuara.
Ne kemi vendosur të dislokojmë 700 trupa të tjera nga forca rezervë operative për Ballkanin Perëndimor. Dhe për të vënë një batalion shtesë të forcave rezervë në gatishmëri më të lartë, në mënyrë që ato të mund të dislokohen nëse është e nevojshme. Këta janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat dhe aftësitë që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij.
Dhuna e zmbraps Kosovën dhe gjithë rajonin dhe i vë në rrezik aspiratat euroatlantike. Si Prishtina ashtu edhe Beogradi duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të de-përshkallëzuar situatën. Përmbahuni nga sjelljet e mëtejshme të papërgjegjshme. Dhe angazhohuni në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.”, tha Stoltenberg.
Pranimi i Suedisë në NATO mund të bëhet në Vilnius
Diskutime në takim pati gjithashtu për pranimin e Suedisë në Aleancë. “Suedia do të bëhet anëtare! “, tha shefi i NATO-s, duke theksuar se “të gjithë aleatët e kanë ftuar atë të na bashkohet.”,. Ai tha se është në kontakt të ngushtë dhe të vazhdueshëm me autoritetet turke, për të siguruar që Suedia të bëhet anëtare e plotë sa më shpejt të jetë e mundur, dhe se ka folur disa herë me Presidentin Erdogan për pranimin e Suedisë në NATO. “Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Norvegjisë. Është e rëndësishme për të gjithë rajonin nordik dhe baltik dhe kjo është e rëndësishme për NATO-n.”.
Ai tha se të gjithë aleatët, po ashtu edhe Turqia morën një vendim shumë të rëndësishëm në samitin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar për të ftuar Finlandën dhe Suedinë të bëhen anëtarë. E ndërsa Finlanda është bërë tasjmë anëtare e plotë, “kam besim se edhe Suedia do të bëhet anëtare e plotë”, tha Stoltenberg. Por ndërkohë, tha ai, gjithashtu “ne duhet të pranojmë se Suedia është në një vend shumë më i fortë dhe më i sigurt tani, sepse sapo u ftuan, ata patën një marrëdhënie të ngushtë me NATO-n përmes statusit të të ftuarit që do të thotë se Suedia tani po integrohet si në strukturat civile dhe në ato ushtarake të NATO-s. Eshtë absolutisht e paimagjinueshme që të ketë një kërcënim apo sulm kundër Suedisë pa reagimin e NATO-s dhe në krye të kësaj, sigurisht me Finlandën në të njëjtën kohë ajo e bën edhe Suedinë, gjithashtu e garantuar që Suedia po i afrohet edhe më shumë NATO-s. Pra, ne po punojmë për këtë edhe me qëllim që të kemi një vendim në samitin e Vilniusit.”. Stoltenberg tha se nuk ka garanci për këtë, por se “është absolutisht e mundur të arrihet një zgjidhje dhe të mundësohet vendimi për anëtarësimin e plotë të Suedisë në Samitin e Vilniusit.”, pasi ka ardhur koha për të ratifikuar procesin e certifikimit, të cilin tashmë e kanë ratifikuar pothuajse të gjithë aleatët. “Mendoj se është e rëndësishme të kuptojmë se Suedia, si një anëtare e plotë e NATO-s është e mirë për të gjithë Aleancën, të gjithë Aleatët përfshirë Turqinë, dhe ky ka qenë gjithashtu mesazhi im”, tha Stoltenbertg dhe shtoi se, në të njëjtën kohë, Turqia ka shqetësime legjitime për sigurinë. “Asnjë aleat tjetër i NATO-s nuk ka pësuar më shumë sulme terroriste sesa Turqia, dhe fakti që Finlanda, Suedia dhe gjithashtu aleatë të tjerë të NATO-s tani po punojnë më ngushtë se si të shkëmbejnë inteligjencën, informacionin dhe të punojnë së bashku në luftën kundër terrorizmit”, është diçka shumë e rëndësishme. “Mesazhi im është se është brenda mundësive, është e mundur që Suedia të jetë anëtare e plotë deri në Samitin e Vilniusit, sepse tani ka një dritare sidomos pas zgjedhjeve turke. Dhe me konstituimin e parlamentit turk sigurisht që është e mundur dhe ne po punojmë shumë që kjo të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundshme.”.
Por NATO do të reagonte nëse dikush do të kërcënonte apo sulmonte Suedinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se është “e paimagjinueshme që nëse ka ndonjë kërcënim apo sulm kundër Suedisë, NATO të mos reagojë.”. Kjo është pjesërisht për faktin se Suedia tashmë ka një status shumë të fortë në NATO, sepse meqenëse të gjithë “aleatët pranojnë të ftojnë Suedinë, Suedia është integruar gjithnjë e më ngushtë në strukturat tona politike dhe ushtarake. Së dyti, disa aleatë të NATO-s, duke përfshirë më të mëdhenjtë, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe të tjerë, i kanë dhënë Suedisë garanci dypalëshe sigurie” si pjesë e procesit të anëtarësimit. “Kemi Finlandën si anëtare, kemi Norvegjinë. Kemi jugun, Gjermaninë, Poloninë, Danimarkën. Pra, kjo ide se gjithsesi, Suedia ka mbetur vetëm është absolutisht e gabuar. Suedia është shumë afër NATO-s, duke u integruar në strukturat tona. Ka garanci dypalëshe sigurie dhe NATO ka rritur praninë e saj në rajon. Prandaj, ne do të reagojmë nëse ka pasur ndonjë lloj kërcënimi.”. Ai shtoi se NATO nuk sheh ndonjë rrezik të afërt ose ndonjë kërcënim sulmi kundër aleatëve të NATO-s ose Suedisë. “Sigurisht që ekziston një rrezik i vazhdueshëm, për sulme të ndryshme kibernetike, hibride, por jo, jo rrezik i lartë për një sulm ushtarak të plotë.”, tha ai.
Ajo që zgjedhim të bëjmë tani përcakton se si do të duket bota në dekadat e ardhshme
Duke folur në Oslo në një ngjarje të bashkëorganizuar nga Komiteti Norvegjez Atlantik dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (30/05/2023), Stoltenberg tha se “lufta e agresionit të Presidentit Putin kundër Ukrainës shënon fundin e botës siç e dinim”, duke theksuar se “ajo që zgjedhim të bëjmë dhe të mos bëjmë tani do të përcaktojë se si do të duket bota për dekada të tëra.”. Ai vuri në dukje se aleatët e NATO-s kanë dhënë kontribute të rëndësishme dhe vendimtare ushtarake dhe se ai pret që të ketë më shumë njoftime dhe vendime të reja në prag dhe në Samitin e Vilniusit në korrik. NATO po punon aktualisht në një program ndihme shumëvjeçare për Ukrainën, për t’i ndihmuar ato të kalojnë nga epoka e vjetër sovjetike në standardet dhe pajisjet moderne të NATO-s dhe për të ndihmuar Ukrainën të afrohet më shumë me NATO-n. “Ne nuk duhet të lejojmë që presidenti Putin të vazhdojë të shkatërrojë sigurinë evropiane dhe për këtë, ne kemi nevojë për një kornizë që garanton sigurinë afatgjatë të Ukrainës,” tha zoti Stoltenberg, duke shtuar, “Nuk mund të parashikojmë rezultatin e diskutimeve, por ajo që është e qartë është se të gjithë aleatët e NATO-s pajtohen që dera e NATO-s është e hapur; të gjithë janë dakord që Ukraina do të bëhet anëtare; dhe të gjithë janë dakord se është Ukraina dhe vendet anëtare të NATO-s që vendosin, jo Rusia. Por gjëja më e rëndësishme tani është që të sigurohemi që Ukraina të mbizotërojë. Kjo është detyra jonë më e rëndësishme. Përndryshe, nuk do të ketë të ardhme për të diskutuar.”. Stoltenberg e bëri të qartë gjithashtu se Samiti i Vilniusit do të forcojë më tej parandalimin dhe mbrojtjen e NATO-s. Ai tha se udhëheqësit e NATO-s do të bien dakord për planet e detajuara për mbrojtjen e vendeve aleate. Përcaktimi i kërkesave të sakta për aftësitë që duhet të ofrojnë aleatët individualë dhe cilat forca kërkohen. Ai theksoi se, “e gjithë kjo është pjesë e transformimit dhe forcimit të NATO-s që ka nisur që nga viti 2014, ristrukturimi i NATO-s gjatë dekadës së fundit, për të përgatitur NATO-n për dekadën e ardhshme”. Në Vilnius, tha ai, “ne duhet të vendosim një angazhim më të fortë ndaj objektivit 2% të NATO-s. 2% për qind nuk duhet të jenë më tavan që synojmë, por një dysheme mbi të cilën ndërtojmë, një minimum.”/ushtria
Fraksion.com