Hapen aplikimet për praktikat e punës, 1579 pozicione të lira në administratë dhe shoqëri tregtare
Kryeministri Edi Rama ka publikuar ftesën drejtuar të rinjve që të bëhen pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Thirrjen VIII.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shprehen se në këtë program mund të aplikojnë të gjithë të rinjtë e moshës 21-26 vjeç, që zotërojnë minimalisht një diplomë Bachelor.
“Janë 1579 pozicione të lira në institucionet e administratës shtetërore, shoqëri tregtare dhe OJF”, shprehet Rama krahas videomesazhit të ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi dhe njërit prej përfituesve të këtij programi drejtuar të rinjve.
Gersi Hoxha, 23 vjeç, specialist në Sektorin e Projekteve Rinore në Agjencinë Kombëtare të Rinisë, shprehet se: “për të qenë i qartë për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij programi, mund të ju them se një diplomë minimalisht bachelor, një CV të përditësuar dhe një letër motivimi për pozicionin për të cilën do të aplikoni, mund të hidhni hapa të mëdha drejt një karriere të suksesshme”.
“Kjo sepse mundësitë që ju presin janë të shumta, nga institucionet e administratës shtetërore, njësitë e vetëqeverisjes vendore, institucionet e pavarura, shoqëritë tregtare dhe së fundmi organizatat jo-fitimprurëse”, thekson Hoxha.
Aplikimet do të qëndrojnë të hapura deri më 30 qershor 2023 një mundësi për të gjithë ata të rinj që nuk kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme, për të zhvilluar një praktikë 3 mujore, të njohur nga Departamenti i Administratës Publike si përvojë pune.
Të rinjtë që vlerësohen me pikë maksimale gjatë periudhës së praktikës, kanë mundësi të punësohen me kontratë 1-vjeçare sipas nevojave të institucioneve pritëse, pra pranë institucioneve të administratës publike, shoqërive tregtare apo organizatave jo-fitimprurëse ku do të kryejnë praktikën 3-mujore.
Fraksion.com