AktualitetTë fundit

330 000 lekë Sekretares së MSH për tenderin, në pranga administratori e inxhinieri i kompanisë private

Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, u arrestuan të shtunën 2 persona, V.T Administratori dhe S. Sh, Inxhinieri i një kompanie private, që dyshohet se i dhanë ryshfet Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro për të përfituar një tender në mënyrë të paligjshme.

Në njoftimin e publikuar sot nga SPAK, bëhet me dije se arrestimi i dy personave, lidhet me hetimin e kryer nga SPAK, për arrestimin edhe të  Sekretares e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialistes së Agjencisë së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara, Laura Shtetën, ngjarje e ndodhur më 2 qershor.

Dyshohet që Administratori i kompanisë private, i ka dhënë 330 000 lekë sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë në formë ryshfeti, me qëllim që kompania e tij, të përfitonte në mënyrë të paligjshme tenderin me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Sipas hetimeve të SPAK, rezulton që administrator i kompanisë V.T i ka dhënë 330 000 lekë inxhinierit të kompanisë. S. Sh. pasi e ka marrë vlerën monetare nga banesa e administratorit, ja ka dërguar më pas shtetases Laura Shteta (Agjencia së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruar), e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, Joana Duro. Kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.

Dy të arrestuarit do të përgjigjen në gjykatë  për akuzën e “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal.

 Njoftimi i SPAK:

Në vijim të njoftimit të datës 03.06.2023, informojmë se në kuadër të hetimit të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023,  hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ekzekutuar në datën 03.06.2023 dhe 04.06.2023 urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Posaçme ndaj shtetasve V. T. dhe S. Sh., të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nene 245 dhe 25 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore është krijuar dyshimi se vlera e përfituar në mënyrë të parregullt nga shtetasja J.D., me funksionin Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në shumën 330.000 lekë), është dhënë si ryshfet nga shtetasi V.T., administrator i operatorit ekonomik “Dri…” sh.p.k, me qëllim për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Po ashtu, janë grumbulluar prova që krijojnë dyshimin se shtetasi S. Sh., me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dri…..” sh.p.k, pasi e ka marrë vlerën monetare prej 330. 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga banesa e shtetasit V. T., ja ka dërguar më pas shtetases L. Sh., e cila ishte personi që kishte njohje dhe mbante kontakte me Sekretaren e Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale, J. D., kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.

 

Fraksion.com