Zvicra bllokon eksportet indirekte të armëve në Ukrainë
Parlamenti zviceran më 1 qershor hodhi poshtë një projektligj që kërkonte mundësimin e transferimit të armëve nga Zvicra në Ukrainë.
Shumica e anëtarëve të Këshillit Kombëtar Zviceran votuan kundër këtij propozimi që ishte hartuar nga komiteti i politikës së sigurisë të dhomës më të madhe parlamentare të vendit.
Asambleja Federale e Zvicrës përbëhet nga Këshilli Kombëtar dhe Këshilli më i vogël i Shteteve.
Projektligji që mbante emrin “Lex Ukraine” do të kishte lejuar shtetet e tjera të dërgonin materiale luftarake të prodhuara nga Zvicra në Ukrainë.
Ligjet e Zvicrës neutrale ndalojnë mbështetjen për vendet e përfshira në akte lufte.
Prandaj, Zvicra deri më tani ka refuzuar t’i japë Gjermanisë lejen për të kaluar municionet zvicerane – të blera vite më parë për tankun gjerman Leopard – në Ukrainë.
Sipas ligjeve të saj të neutralitetit dhe një embargoje të veçantë për armët, Zvicra e ka të ndaluar të dërgojë armë direkt në Ukrainë.
Ministrja zvicerane e Mbrojtjes, Viola Amherd, përmes një letre më 1 mars tha se një shitje e mundshme e një pjese të flotës së tankeve zvicerane do të kërkonte që Parlamenti zviceran të deklaronte zyrtarisht se tanket janë jashtë shërbimit.
Ushtria zvicerane aktualisht ka 134 tanke Leopard 2 në shërbim dhe një 96 të magazinuara. Qeveria nuk kishte bërë të ditur numrin e tankeve që Gjermania ka kërkuar t’i blëjë, por një zyrtar zviceran tha se një gjë e tillë mund të bëhej me një numër të kufizuar të tankeve.
Zvicra më parë ka bllokuar kërkesat e Gjermanisë, Spanjës dhe Danimarkës për të lejuar ri-eksportimin e municioneve të prodhuara në Zvicër, në Ukrainë.
Por çështja po bëhet gjithnjë e më përçarëse në Zvicër, ku duket se Ukraina ka mbështetje të gjerë në publik dhe politikë, duke bërë që të shtohet presioni ndaj qeverisë për t’i dhënë fund ndalimit të eksporteve të armëve zvicerane në zonat e luftës.
Thirrjet nga fqinjët evropianë për Zvicrën për të lejuar transferime të tilla në Kiev janë shtuar, dhe dy komitetet e sigurisë së Parlamentit kanë rekomanduar që rregullat të lehtësohen.
Fraksion.com