AktualitetPolitikëTë fundit

“Sekretarja e Përgjithshme kapet në flagrancë”, Rama: Drejtësi të barabartë për të gjithë, s’ka kompromis

Nga Tirana, ku u ndal të premten në kuadër të turit të falënderimeve, kryeministri Edi Rama nënvizoi se rruga që ka zgjedhur Partia Socialiste është ajo një drejtësie të barabartë për të gjithë.

Duke sjell shembullin e arrestimit të një ish-sekretareje të përgjithshme në flagrancë, Rama tha se, Partia Socialiste ka hapur “kutinë e Pandorës”.

“Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një ish-sekretare e përgjithshme që kapet në flagrancë, duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo?! Natyrisht që ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti. Dhe unë uroj që të ketë sa më shumë të tilla, por ama s’mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Sepse është realisht diçka e rëndë”, tha Rama.

Sipas tij, “kjo sjellje është mungesë e sensit të patriotizmit dhe sensit të detyrës, si edhe mungesë etike, në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme. Natyrisht që këtu ne e kemi hapur vetë këtë ‘kuti të Pandorës’. E kemi hapur vetë, pikërisht sepse s’kemi pranuar që të marrim përgjegjësinë e qeverisjes së këtij vendi, duke mbajtur këmbën tek kapaku i asaj kutie, për të vazhduar avazin e nuk e di sa e sa shekujve, ku të pushtetshmit, apo të fuqishmit, apo të mbrojturit e këtij vendi kurrë asnjëherë nuk janë thirrur nga drejtësia. Këtë e kemi bërë ne, dhe unë 100 herë të kthehesha mbrapa, 100 herë do bëja të njëjta gjë”, tha Rama.

Kryeministri Rama tha më tej se, Partia Socialiste ka zgjedhur rrugën e ligjit dhe drejtësisë së barabartë për të gjithë, pa mbrojtur askënd dhe në këtë rrugëtim s’ka kthim pas.

“Çfarë duhet të bëjmë? Duhet të vazhdojmë në një rrugë me sy mbyllur dhe të konsumojmë pushtetin, duke bërë sikur s’kuptojmë ose duke bërë barrikadë, që kush është i joni mund të bëjë çfarë të dojë me ligjin dhe me pasurinë e përbashkët dhe nuk preket. Apo duhet të ndjekim një rrugë tjetër. Dhe ne kemi zgjedhur këtë rrugën tjetër dhe në këtë rrugë nuk ka asnjë kthim prapa dhe asnjë kompromis me askënd”, tha Rama.

Për Ramën, kjo është rruga për gjeneratën e re, jo për hir të disa mandateve.

“Natyrisht që unë personalisht e kam ditur, që kjo nuk është një rrugë që do të mbarojë shpejt, kjo nuk është rruga e një mandati apo dy mandateve, por është rruga e një gjenerate për të arritur që ky vend të ketë drejtësi të barabartë për të gjithë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, më tej shtoi se, kjo është një rrugë me shumë vështirësi, me shumë situata të shëmtuara, të hidhura po të doni, me njerëz që kanë marrë gjithçka, por, sipas tij, nuk ka më shumë sesa të çohen për ty një ditë të dielë e të shkojnë të shënojnë emrin tënd atje.

“Asgjë nuk krahasohet me këtë. Nuk ka miliarda, pasurira, s’ka shtëpi e varka që krahasohen me këtë. Që një të dielë, mijëra njerëz, për një person, çohen dhe vënë kryqin aty. Ose qindra-mijëra çohen dhe votojnë partinë që ty të ka zgjedhur të përfaqësosh ata”, tha Rama, i cili shtoi se, “nga ana tjetër ne duhet që paralelisht, ne thjesht duhet të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë që bëjmë. Këtu secili e zgjedh vetë dhe më pas rrugët ndahen. Ata njerëz që marrin një detyrë ta dinë se çfarë po marrin. Ta kuptojnë se çfarë po marrin. Ashtu sikundër ata njerëz që e kanë një detyrë të mos kërkojnë përtej detyrës gjithçka. Kur them gjithçka, nuk kam parasysh gjërat penale, por edhe ato personale të panumërta”, tha Rama.

 

Fraksion.com