La të vdekur në vend 38-vjeçarin dhe u largua me mjetin, pranga autorit pas dy ditësh
Policia e Lezhës, ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit i cili pak ditë më parë përplasi për vdekje një 38-vjeçar, banues në Adriatik i cili po lëvizte me biçikletë.
Blutë e Lezhës, kanë arrestuar Sokrat Rajtën, 35-vjeç, i cili dyshohet se përplasi për vdekje Anton Curkajn.
“Me datë 31.05.2023, në aksin rrugor Fushë Mamurras – Adriatik, në vendin e quajtur “Presa e Bamit”, nga një mjet në lëvizje i cili është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, është aksidentuar shtetasi A. C. 38 vjeç, banues në Adriatik, që po lëvizte me biçikletë. 38- vjeçari është gjetur nga kalimtarët dhe më pas është transportuar në spital, por si pasojë e lëndimeve të rënda fizike të marra, ka ndërruar jetë.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale intensive të kryera nga shërbimet e policisë rrugore në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi i drejtuesit të automjetit që shkaktoi aksidentin, shtetasit S. R., 35 vjeç, banues në Kurbin.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale është gjetur dhe sekuestruar automjeti tip “Benz” që drejtonte shtetasi S. R., në momentin e aksidentit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.’- njofton policia.
Aksident ndodhi rreth orës 15:00 më 31 maj, në vendin e quajtur “Ura e Presës”, pranë fshatit Adriatik të Kurbinit.
Fraksion.com