AktualitetTë fundit

66-vjeçari prodhonte mina me telekomandë dhe ua shiste grupeve kriminale në Lezhë, prangoset

Mina me telekomandë, armë zjarri, kallëpe tritoli, kapsolla e fishekë janë pamjet e arsenalit të madh të armëve që u zbulua në banesën e Qemal Ajazit në Lezhë. Policia arrestoi 66-vjeçarin, i cili kishte kthyer banesën në fshatin Arrëmollë të Lurës në “punishte” të prodhimit të minave, të cilat i shiste në Lezhë për llogari të grupeve kriminale.

“Ky shtetas prodhonte mina me telekomandë, siguronte municion të konsiderueshëm luftarak dhe armë zjarri, me qëllim shitjen e tyre në qarkun Lezhës, për llogari të personave apo grupeve që kryenin veprimtari kriminale” njoftoi sot policia e Lezhës.

Operacioni u kodua ‘AMONEKS’ dhe u sekuestruan
3 mina me telekomandë
2 armë zjarri,
40 kallëpe tritoli,
45 kapsolla detonatore,
45 krehra me fishekë
Rreth 2 200 fishekë luftarak në banesën e 66-vjeçarit.

Strukturat hetimore të DVP Lezhë, në bashkëpunim me ato të DVP Dibër dhe Prokurorinë, po vijojnë veprimet e thelluara hetimore, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

 

Fraksion.com