Vuçeviq: Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e saj të kuqe
Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha të mërkurën se situata e sigurisë në veri të Kosovës është shumë e rrezikshme.
Duke folur për Radio-Televizionin e Serbisë, Vuçeviq përsëriti akuzat e Beogradit zyrtar se fajtore për këtë situatë janë autoritetet në Kosovë.
Ai i cilësoi vendimet e tyre si “të njëanshme, të paligjshme dhe jolegjitime”.
Ai, po ashtu, tha se janë përcaktuar vijat e kuqe.
“Ushtria e Serbisë është e gatshme të kryejë çdo detyrë, ndërsa, nga aspekti politik, Serbia e ka përcaktuar se cilat janë vijat e kuqe kur ajo gjendet në një situatë, në të cilën i kërcënohen interesat jetike kombëtare dhe shtetërore. Po flasim për – Zoti na ruajt – skenarë ku dikush vret serbë”, tha Vuçeviq.
Ai tha se Forcat e Armatosura të Serbisë do të jenë në gjendje të lartë të gatishmërisë luftarake derisa të vlerësohet se interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë janë të kërcënuara dhe derisa ka rrezik të lartë të sigurisë në Kosovë.
Më herët, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria e Serbisë duhet ta ulin statusin e sigurisë së Forcave të Armatosura, si dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidimin e KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.
Nga përleshjet mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it, të hënën në Zveçan, 30 ushtarë janë plagosur, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
Vuçeviq tha se autoritetet në Serbi janë në kontakt me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Kemi komunikim të vazhdueshëm, ku shkëmbejmë informacione, por vëmë në dukje edhe mosmarrëveshjet për disa çështje, sepse nuk jemi të kënaqur me veprimet e KFOR-it”, tha Vuçeviq.
Ai tha se beson se KFOR-i duhet t’i largojë njësitet speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe.
Vuçeviq vlerësoi, gjithashtu, se ky është parakusht për qetësimin e situatës.
Që nga 26 maji, në veri të Kosovës janë rritur tensionet, pasi po atë ditë, krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – të gjithë shqiptarë – u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Më 29 maj, 30 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë në Zveçan.
Paraprakisht, Qeveria e Kosovë ka mbrojtur vendimin e saj për të çuar kryetarët e rinj në ndërtesat komunale, teksa për dhunën në Zveçan ka fajësuar Beogradin për “dirigjim të turmës ekstremiste”./rel
Fraksion.com