AktualitetTë fundit

Vetting-u e shkarkoi nga drejtimi i Policisë Lezhë, Vehbi Bushati emërohet këshilltar i Rrumbullakut

Pas shkarkimit nga detyra për mos plotësimin dhe mos dorëzimin e formularit të deklarimit të pasurisë deklarimin e kontrollit të figurës dhe formularin e vlerësimit të aftësive profesionale, burime bëjnë me dije se Vehbi Bushati merr detyrën si këshilltar në kabinetin e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit

Vehbi Bushati u largua nga detyra e drejtorit të policisë së Lezhës në vendimin e parë të dhënë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore pas rinisjes së vetting-ut në Policinë e Shtetit. Drejtuesi i deritanishëm i policisë së Lezhës, nuk përjashtohet përfundimisht nga strukturat blu, por nuk do të lejohet të mbajë poste drejtuese, dhe për shkak të filtrit të vetting-ut detyra më e lartë që do t’i lejohet është shef krimesh në komisariat. Ky vendim i trupës së vetting-ut të AMP-së erdhi pasi Bushati nuk ka plotësuar dhe dorëzuar formularët e deklarimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe aftësive profesionale sipas rregullave të miratuara së fundmi.

AMP theksoi se ai ka paraqitur deklaratën e interesave private periodike vjetore ne ILDKPKI, një format që është për vlerësim periodik dhe jo kalimtar që duhet të bënte. Në vendim theksohet se pavarësisht kontakti përmes rrugëve zyrtare me Vehbi Bushatin, në afatet e parashikuara në ligj, ai nuk ka kryer asnjë dorëzim e formularëve sipas rregullave të miratuara së fundmi. Në dosjen e ish-drejtuesit të policisë figuronin vetëm formularët dhe deklaratat që janë plotësuar në vitin 2018, të cilat janë të pavlefshme pas ndryshimeve që iu bën ligjit të vetting-ut në Policinë e Shtetit që kanë hyrë në fuqi më 4 maj 2023. Vehbi Bushati ka mbajtur poste të larta drejtuese në polici, si drejtues qarqesh, shef komisariatesh dhe zëvendësdrejtor i Antiterrorit.

Pas rinisjes së vettingut, trupa vlerësuese e AMP do të filtrojë të gjithë punonjësit me poste të larta në polici, një pjesë e të cilëve kanë kaluar një herë veting-un kalimtar, por kontrolli periodik do të bëhet çdo pesë vite. Vetting-u ndaloi në fillim të vitit 2022 dhe Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit pushoi së ekzistuari për shkak të vonesave të shumta. Fillimisht në filtër ishte parashikuar të kalonin të gjithë efektivët por me ndryshimet e fundit, janë përjashtuar punonjësit e nivelit bazë dhe vëmendja është përqendruar tek drejtuesit.

 

Fraksion.com