KFOR: Kosova dhe Serbia të marrin përgjegjësi për ngjarjet në veri
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia, kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.
Ristuccia kërkoi nga palët, po ashtu, që të parandalojnë “çdo përshkallëzim të mëtejmë” të situatës.
Përmes një njoftimi për media, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se gjatë ndërhyrjes në Zveçan të hënën, 30 ushtarë të këtij misioni u lënduan: 19 nga kontingjenti hungarez dhe 11 nga ai italian.
“Ata pësuan lëndime të shumta, përfshirë thyerje dhe djegie nga pajisjet e improvizuara shpërthyese dhe mjetet ndezëse”, thuhet në njoftim.
Fraksion.com