AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Tensione në veriun e Kosovës

Grupe qytetarësh serbë në veriun e Kosovës u mblodhën të hënën në përpjekje për të hyrë në ndërtesat e komunave, në të cilat kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit, hynë të premten mes tensionesh dhe nën përcjelljen e policisë.

Forcat e policisë së Kosovës dhe trupat e KFOR-it të drejtuara nga NATO-ja kanë shtuar praninë e tyre para ndërtesave të komunave.

Në Zveçan pati edhe gaz lotsjellës. Policia e Kosovës tha se “protestuesit duke shfaqur dhunë dhe duke hedhur gaz lotsjellës kanë tentuar të kalojnë kordonët e sigurisë për tu futur me dhunë në objektin e komunës. Policia është detyruar të përdor mjetet e ligjshme si sprej-in, për të ndaluar protestuesit dhe për të vënë situatën nën kontroll”.

Të premten grupe qytetarësh serb u përplasën me policinë e Kosovës e cila po ndihmonte kryetarët e rinj të tre komunave të banuara me shumicë serbe të hyjnë në zyrat e tyre. Zhvillimet e së premtes nxitën reagime të ashpra nga Beogradi, i cili ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dënuan qeverinë e Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat e komunave.

Të dielën në mbrëmje fuqitë perëndimore, Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian, paralajmëruan “të gjitha palët kundër kërcënimeve ose veprimeve të tjera që mund të ndikojnë në një mjedis të sigurt, duke përfshirë lirinë e lëvizjes dhe që mund të nxisin tensionet ose konflikt”.

Kryetarët e rinj të tri komunave të banuara me shumicë serbe, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kundërshtohen nga serbët dhe përfaqësuesit politik të tyre, të cilët bojkotuan këtë proces zgjedhor.

Udhëheqësit e Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, kërkuan të shtunën që Serbia të pezullojë të gjitha negociatat me qeverinë e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shtuar përpjekjet për të ndihmuar zgjidhjen e mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, nga frika e paqëndrueshmërisë së mëtejshme në Evropë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.

Kosova dhe Serbia u pajtuan në muajin mars në Ohër të zbatojnë një plan të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por tensionet vazhdojnë të mbeten të larta./VOA

 

Fraksion.com