AktualitetBota+Të fundit

“Mirupafshim Kemal!”, Erdogan shpall fitoren, VOA: Rezultati do të shkojë shumë më larg se Ankaraja

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka fituar zgjedhjet në balotazhin presidencial të së dielës, sipas rezultateve jo zyrtare, një fitore që e shtrin qeverisjen e tij autoritare në rritje në dekadën e tretë, ndërsa vendi është goditur nga inflacioni i lartë dhe pasojat e tërmetit që rrafshoi qytete të tëra.

Ky mandat i tretë forcon edhe më tej rolin e zotit Erdogan brenda dhe jashtë vendit, ndaj dhe ndikimi i rezultateve të këtyre zgjedhjeve do të shkojë shumë më larg se Ankaraja.

Ndërsa janë hapur rreth 99 % e kutive të votimit, rezultatet e njoftuara nga agjenci të ndryshme lajmesh, tregojnë se zoti Erdogan ka fituar 52% të votave, kundrejt 48 % të rivalit të tij Kemal Kilicdaroglu.

Zoti Erdogan bëri deklaratat e para pas mbylljes së qendrave të votimit, dhe foli para mbështetësve, në një autobus jashtë shtëpisë së tij në Stamboll.

“Falënderoj çdo qytetar të këtij vendi që më besoi përgjegjësinë për të qeverisur këtë vend edhe një herë për pesë vitet e ardhshme”, tha ai.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan duke i folur mbështetësve pas rezultateve të para të balotazhit presidencial, Stamboll, Turqi.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan duke i folur mbështetësve pas rezultateve të para të balotazhit presidencial, Stamboll, Turqi.

Ai e përqeshi rivalin e tij Kemal Kilicdaroglu për humbjen duke thënë “mirupafshim Kemal”, ndërsa mbështetësit e shoqëronin me brohoritje.

“Sot zgjedhjet i fitoi Turqia”, tha ai.

Presidenti Recep Tayyip Erdogan duke votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqi.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan duke votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Turqi.

Zoti Kemal Kilicdaroglu tha se këto ishin “zgjedhjet më të padrejta të zhvilluara ndonjëherë” mbasi të gjitha burimet shtetërore ishin mobilizuar në shërbim të zotit Erdogan.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në ballë të kësaj lufte derisa në vendin tonë të vijë demokracia e vërtetë”, tha ai në Ankara.

Ai falenderoi mbi 25 milionë qytetarët që e kishin votuar.

“Njerëzit treguan vullnetin e tyre për të ndyshuar qeverisjen autoritare pavarësisht trysnisë së madhe”, tha ai.

Kandidati opozitar për president të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu duke votuar në Ankara, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale
Kandidati opozitar për president të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu duke votuar në Ankara, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Anadolu zoti Erdogan ka siguruar 52.1% të votave ndërsa rivali i tij, Kemal Kilicdaroglu 47.9%.

Ndërkohë, sipas agjencisë së lajmeve ANKA, e afërt me opozitën, rezultatati I votimit ishte 51.9% për zotin Erdogan dhe 48.1% për zotin Kilicdaroglu.

Në Stamboll, mbështetësit e presidentit Erdogan filluan të festonin edhe para se të dilnin rezultatet përfundimtare, duke valëvitur flamujt turq ose të partisë në pushtet dhe duke i rënë borive të makinave.

Mbështetës të Presidentit Erdogan duke festuar fitoren, Stamboll, Turqi
Mbështetës të Presidentit Erdogan duke festuar fitoren, Stamboll, Turqi

Rezultati i sotëm nuk përcakton vetëm udhëheqësin e Turqisë, një vend anëtar i NATO-s me 85 milionë banorë, por edhe se si do të qeveriset, cila do të jetë e ardhmja ekonomike e Turqisë, ndërsa vlera e monedhës vendase ka shënuar rënie të madhe.

Votimi i sot është përcaktues edhe mbi politikën e jashtme e që do të ndjekë Turqia, një vend që ka zemëruar Perëndimin duke forcuar marrëdhëniet me Rusinë dhe vendet e Gjirit.

Turqia strehon numrim më të madh të refugjatëve në botë, me rreth 5 milionë emigrantë, nga të cilët 3.3 milionë janë sirianë, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme./VOA

 

Fraksion.com