Ministri serb i Mbrojtjes: Po përfundojmë dislokimin e njësive ushtarake
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha se deri në orën 14:00 të së hënës, do të përfundojë dislokimi i plotë i njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë, në përputhje me urdhrin e presidentit Aleksandar Vuçiq për rritjen e gatishmërisë luftarake.
Në veri të Kosovës, grupe serbësh lokalë u mblodhën sërish më 29 maj për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Të premten e kaluar, protestuesit serbë u përleshën me Policinë e Kosovës, e cila i ndihmoi kryetarët për t’u vendosur në objektet komunale.
Në përgjigje, Vuçiq dha urdhër për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe.
“Njësitë e ushtrisë serbe do të jenë të përgatitura për të zbatuar çdo urdhër, me shpresë se do të gjendet një zgjidhje politike”, tha Vuçeviq.
Ai shtoi se gatishmëria luftarake e Forcave të Armatosura të Serbisë është rritur për të bërë me dije se “ka vija të kuqe”.
Sipas Vuçeviqit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, Millan Mojsilloviq, të hënën ka biseduar në telefon me komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Angelo Michele Ristuccia.
Gjatë bisedës, siç tha Vuçeviq, Ristuccia tha se KFOR-i do të ofrojë siguri dhe paqe dhe nuk do të lejojë një konflikt midis Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të komunitetit serb.
Ministri serb i Mbrojtjes tha se KFOR-i po mbron Policinë e Kosovës dhe kryetarët e rinj të komunave, të cilët ai i quajti “uzurpatorë të demokracisë”.
Shtimin e pranisë së trupave të KFOR-it në veri të Kosovës, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, e cilësoi si reagim të vonuar të këtij misioni.
“Ata duhet të shkonin atje të premten, e jo sot. Mandati i tyre është që të mbrojnë paqen, stabilitetin dhe njerëzit. Ata sot nuk po mbrojnë njerëzit dhe institucionet. Ata po mbrojnë uzurpatorët”, tha Bërnabiq.
Komuniteti ndërkombëtar ka dënuar veprimet e Kosovës dhe ka kërkuar që ta shtensionojë situatën në veri. Ndërkombëtarët po ashtu kanë kërkuar që kryetarët e rinj të shmangin hyrjen me forcë në ndërtesat komunale./REL
Fraksion.com