AktualitetKosovaRajoniTë fundit

SHBA kritikon autoritetet kosovare për qëndrimin në veri

SHBA kritikon ashpër veprimet e autoriteteve kosovare për të ndihmuar kryetarët shqiptarë të hyjnë në objektet e komunave në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Të paktën pesë policë të Kosovës të lënduar, 10 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore, një makinë policie e djegur dhe disa të tjera të dëmtuara, gaz lotësjellës dhe të shtëna me armë zjarri por, pa pasoja në njerëz, ishte bilanci i një përplasjeje të grupeve të serbëve me policinë e Kosovës në veri të vendit.

Të premten (26.05.) grupe qytetarësh serbë u përpoqën të pengojnë hyrjen në objektet komunale në veri të Kosovës të kryetarëve shqiptarë, ndërkohë që këta po ndihmoheshin nga policia që të hynin në zyrat e tyre, pasi një ditë më parë bënë betimin si kryetarë komune.

Policia hodhi gaz lotsjellës në hyrje të komunës së Zveçanit për të shpërndarë turmën e njërëzve. Në një njoftim të policisë thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve. Sipas policisë janë dëgjuar edhe të shtëna me armë zjarri, por ende nuk dihet vendi i saktë.

Ushtria serbe në gatishmëri të lartë

Mediet në Serbi shkruajnë se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, nënshkroi një urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë së Serbisë në nivelin më të lartë dhe ka urdhëruar lëvizjen e njësive në drejtim të vijës kufitare me Kosovën. Ministri serb i Mbrojtjes Millosh Vuçeviq, tha në një transmetim të drejtpërdrejtë televiziv në Beograd, se është urdhëruar një dislokim urgjent i trupave, meqë “është e qartë se në Kosovë po ndodh terror ndaj komunitetit serb”.

Kritikë e ashpër nga SHBA

Ministri i Jashtëm i SHBA-së, Antony Blinken, e kritikoi qeverinë e Kosovës për hyrjen me dhunë në ndërtesat komunale në veri të vendit dhe i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin.

Blinken tha në një deklaratë se veprimet e Kosovës bien kundër me këshillat e SHBA-së dhe të Evropës dhe “i kanë përshkallëzuar tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe ato do të kenë pasoja në marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffry Hovenier, deklaroi se “Shtetet e Bashkuara i dënojnë veprimet e autoriteteve të Kosovës për të hyrë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”.

Edhe Senatori amerikan, Chris Murphy, i cili në fillim të javës ishte për vizitë në Kosovë, deklaroi se për zhvillimet e së premtes në veriun e Kosovës, ka biseduar në telefon me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet.

“Në takimin tim të hënën në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, ai nuk përmendi një plan për qasje në ndërtesat komunale. Si mik i Kosovës jam kapur tërësisht në befasi dhe ai duhet t’i japë menjëherë fund këtij provokimi. Po, këto komuna janë pjesë e Kosovës dhe nën juridiksionin e Prishtinës dhe këta zyrtarë kanë teknikishit të drejtën ligjore për të hyrë në këto ndërtesa. Por, pikërisht në këtë moment, me situatën kaq të tensionuar në veri, ky është një hap qëllimisht provokues dhe i panevojshëm”, shkroi senatori Murphy në Twitter.

BE dënon përpleshjet e policisë dhe serbëve në veri

Edhe Bashkimi Evropian, dënoi përpleshjet e policisë dhe serbëve në veri, duke thënë se “të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë”.

“Bashkimi Evropian dënon fuqishëm përplasjet në mes të Policisë së Kosovës dhe protestuesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga përpjekja e kryetarëve të sapozgjedhur që të hyjnë në objektet komunale. I dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX-it. EULEX duhet të lejohet të kryejë mandatin e tij paqësisht. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të shtensionuar situatën dhe të rivendosin qetësinë menjëherë. BE-ja s’do të pranojë asnjë veprim të mëtejmë të njëanshëm apo provokues dhe ruajtja e paqes dhe siguria në terren duhet të jenë prioritet”, thuhet në reagimin e BE-së.

Qeveria e Kosovës mbron veprimin e saj

Ndërkohë, nga qeveria e Kosovës thonë se kryetarët e zgjedhur të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, të banuara me shumicë serbe, “e kanë detyrim ligjor të fillojnë punën menjëherë” dhe se “institucionet publike kanë detyrim që të sigurojnë kushtet që ata të ushtrojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre”.

“Si kryetarë të komunave, ata mund të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre vetëm nga ndërtesat e komunës. Të ardhur me votë, mund edhe të rrëzohen me votë. Të përzgjedhurit e qytetarëve, si rregull, rrallëherë gëzojnë mbështetjen e secilit qytetar. Por kjo nuk nënkupton që qytetarët e pakënaqur mund të bllokojnë shkuarjen e të përzgjedhurve në vendet e tyre të punës”, shkroi zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik  Bislimi, i cili është edhe kryenegociator i Kosovës në bisedime me Serbinë.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e Kosovë, Xhelal Svecla, tha se kryetarët e katër komunave veriore do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim.

“Pas ceremonive të djeshme të betimit të kryetarëve të komunave veriore, kryetarët e komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq sot janë vendosur në zyret e tyre në objektet komunale. Ata do të vazhdojnë mandatin e tyre duke qenë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim. Përgëzoj Policinë e Kosovës për profesionalizmin e treguar në ballafaqimin me grupe të organizuara kriminale, që kishin për qëllim pengimin e këtij procesi”, shkroi në Twitter ministri Svecla, duke ftuar “qytetarët tanë që të mos bien pre e manipulimeve të grupeve kriminale, të cilët për hir të përfitimeve kriminale personale e grupore dëshirojnë kaos dhe suspendim të shtetit të së drejtës e të demokracisë”.

Një ditë më parë, kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të këtij viti, u betuan nëpër shkolla e ndërtesa të tjera publike në këto komuna, për shkaqe sigurie. Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan masivisht nga serbët e veriut dhe përfaqësuesit e tyre politikë nga lista Srpska thanë se “nuk marrin pjesë në proces pa themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pjesë e marrëveshjes së Ohrit për të cilin kanë rënë dakord Kosova dhe Serbia dhe përmes së cilës parashihet përmirësimi i marrëdhënieve. /DW

 

Fraksion.com