AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Rritja e pagave vendim i vonuar, PD do ta votojë

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi deklaroi sot, nga forltorja e Kuvendit se, “Partia Demokratike do ta votojë pr. ligjin për rritjen e pagave për punonjësit e administratës, megjithëse ky është një vendim tejet i vonuar”.

“Nuk ka asnjë dyshim që vota e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për këtë projektligj është Pro. Pro me të dyja duart, sepse jetesa është bërë shumë e vështirë nga rritja e çmimeve. Por për fat të keq, ky vendim sot është shumë i vonuar dhe i pastudiuar”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Bardhi i kërkoi kryeministrit Rama që në vend që të merret me opozitën  duhet t’u shpjegojë shqiptarëve, për “non-gratën” Tom Doshi, falë të cilit mori zgjedhjet.

“Shpjegove rezultatin e opozitës, por nuk shpjegove rezultatin të aleatit tënd “non-grata” Tom Doshin. Se në fakt konkluzioni më domethënës është rezultati i aleatit politik të Ramës, “non-grata” PSD e Tom Doshit. Ai është thelbi i pushtetit të Ramës, një këmbë të pushtetit në Durrës iia ka ngarkuar Vangjush Dako i damkosur “non-grata”, një në Shkodër Tom Doshi. Në vend të japë llogari për masakrën që bëri më 14 maji, merret me opozitën”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se, Rama duhet të jepte shpjegime se, pse në 10 vite nuk ka sjell në Kuvend asnjë projektligj për rritje pagash edhe pse çmimet janë dyfishuar.

“Sot janë larguar burra e gra të të gjitha shtresave dhe të të gjitha moshave. Vini re statistikat. Këto 10 vitet e fundit, gjithmonë largohen akoma më shumë pas një palë zgjedhje, që janë gjithmonë e më të këqija, të mbaruara në tavolinë, pa nisur gara. 42 mijë shqiptarë u larguan pas zgjedhjeve të vitit 2021. 180 mijë shqiptarë janë larguar që pas zgjedhjeve të 2017-s. Është e vërtetë se ka me mijëra dhe nga ata që janë kthyer, por shumë më pak se ata që ikin. Pse vonë? Sepse në 10 vjet, kjo qeveri refuzoi të bëjë një rritje reale pagash, me përjashtim ndoshta të vitit zgjedhor 2017 vetëm për pak kategori”, tha Bardhi.

Ai theksoi se, në 10 buxhete që ky kryeministër ka sjellë në parlament, ju keni refuzuar çdo propozim të Partisë Demokratike për rritje pagash.

“Ju gënjeni kur thoni se gjetët një grope financiare dhe ju duhej kohë! Sot, do të shpenzohen gati 350 milionë euro për rritjen e pagave, por vetëm për pllakat majolike të Rilindjes Urbane në 2014-ën ju shpenzuat 400 milionë euro. Pra, para kishit, por jo për të rritur mirëqenien dhe konsumin e qytetarëve. 11 vite të humbura pa rritur pagat. Kur në këtë parlament po diskutonim buxhetin, as Edi Rama, as ministrat, as deputetët e tij nuk folën asnjëherë për rritje rrogash në ketë nivel. Numëroi me pikatore disa parà për 2-3 kategori, refuzoi kërkesën e pedagogëve për rritje normale të pagave, me justifikimin se nuk ka parà dhe se ky ishte buxheti i luftës! I luftës që bëhej në Ukrainë, i inflacionit të lartë, i çmimeve stratosferike, i krizës energjetike që nuk ndodhi kurrë. Por për 3 muaj këto u harruan dhe tani del që ne paskemi parà për rritjen e pagave. Gati 7-8% e buxhetit të shtetit do të shkojë për rritje pagash dhe sot akoma nuk e dimë se cili është burimi i të ardhurave”, u shpreh Bardhi.

Sipas tij, nuk ka asnjë rast në botë, të asnjë qeverie demokratike, që të marrë një vendim të tillë pa e konsultuar me shumë kujdes me shumë faktorë duke marrë më shumë kohë.

“Rritja e pagave nuk është kurrë surprizë, nuk mbahet kurrë sekret. Dhe askush nga kolegët evropianë dhe perëndimorë të Edi Ramës nuk sillet si prestigjiator duke nxjerrë nga kapelja dhuratën e rritjes së pagave para zgjedhjeve”, tha ai.

Bardhi tha se, kur PD erdhi në pushtet në vitin 2005, paga mesatare në sektorin publik ishte 268 mijë lekë në muaj. Pra 268 mijë lekë të vjetra në muaj. Pas 8 vitesh qeverisje nga PD, paga mesatare në sektorin publik u rrit në 522 mijë lekë në muaj, pra thuajse u dyfishua. U rrit me 254 mijë lekë ose rreth 95%, megjithëse ishte koha e krizës globale botërore ekonomike. Po rezultati i Edi Ramës? Pa rritjen që miratojmë sot, Edi Rama në 10 vjet e rriti pagën mesatare në shtet vetëm 123 mijë lekë, më pak se 25%. Dhe vetëm në 2025-ën, pra pas 12 vitesh në pushtet, ndoshta do të arrijë të dyfishojë pagat në sektorin publik, që PD e bëri në 8 vjet. E gjithë kjo llogari nuk merr parasysh rritjen reale, që është shumë pak për shkaqet e inflacionit, pra rritjes së çmimeve, keqqeverisjes dhe korrupsionit”.

“Partia Demokratike do ta miratojë sot rritjen e pagave, edhe pse ky është një akt shumë i vonuar, i pastudiuar dhe i bazuar në motive elektorale-politike. Por sot është dita që ne të ngremë zërin edhe për pensionistët. Ata duhet të ishin të parët në vlerësim, por mbeten gjithmonë të fundit. Na thonë se nuk kanë parà! Por parà kanë mjaftueshëm. Duhet që të mos i vjedhin! Mjaft të kujtojmë se vetëm në tubat e sobës së pastrueses së një drejtoreshe të Edi Ramës, u gjetën 500 mijë euro korrupsioni dhe llogaritë janë të qarta si drita e diellit”, theksoi Bardhi.

Ai vuri në dukje se, liderët e mirë u shërbejnë njerëzve me paga të mira, me pensione të mira dhe i trajtojnë ata me respekt.

“Këtu tek ne asnjë nga këto nuk ndodh. Ne na drejton një qeveri e korruptuar, që paguan vetëm për të blerë votën, por jo për të trajtuar njerëzit me respekt dhe dinjitet. Unë e di se kjo qeveri nuk i sheh as pensionistët, as punonjësit e sektorit publik, as profesionistët e lirë, as punonjësit e sektorit privat dhe as studentët si njerëz që duhen shpërblyer për punën e tyre”, u shpreh Bardhi.

“Në listën e Edi Ramës ata janë numra zgjedhorë, që i duhen vetëm për të bërë llogaritë e pushtetit personal. Prandaj, për rritjen e pensioneve do të dëgjojmë ndoshta afër zgjedhjeve të ardhshme! Është fiks në stilin e Edi Ramës”, u shpreh Bardhi.

 

Fraksion.com