AktualitetPolitikëTë fundit

Senatorët amerikanë Murphy dhe Peters takime në Tiranë

Senatorët amerikanë Chris Murphy, anëtar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit të SHBA-së dhe senatori amerikan Gary Peters, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Senatit të SHBA-së, vizituan të martën Tiranën, si pjesë e një turi në disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Një ditë më parë ata ishin në Kosovë, ndërsa do të vizitojnë dhe Malin e Zi dhe Serbinë. Senatori Murphy do të shkojë më pas dhe në Maqedoninë e Veriut.

Në Shqipëri, siç bën të ditur ambasada amerikane përmes një postimi në Facebook, senatorët u takuan me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj dhe deputetë. Ata u takuan gjithashtu me përfaqësuesë të shoqërisë civile dhe medias, si dhe me të evakuuar afganë në Shqipëri.

Presidenti Begaj shkroi në Twitter pas takimit se “mbështetja e Shteteve të Bashkuara është kyçe për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të begatë”.

Ndërsa ambasadorja amerikane Yuri Kim vuri në dukje se “si aleatë të NATO-s dhe anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, bashkëpunimi ynë për çështjet rajonale dhe globale – nga mbështetja e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, te refuzimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, te largimi i miqve afganë nga rreziku, te forcimi i mbrojtjes kundër sulmeve kibernetike. – është më e rëndësishme se kurrë”, shkruajti ambasadorja Kim nw Twitter, duke cituar senatorin Murphy se “SHBA-të, nuk kanë mik më të mirë në botë se Shqipëria”.

Vizitat e dy senatorëve amerikanë në Ballkan kanë si qëllim diskutimet me udhëheqësit e vendeve të rajonit mbi atë se si SHBA-të mund të promovojnë stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. “Ne kurrë nuk mund ta marrim paqen në Ballkan si të mirëqenë dhe vizita jonë vjen në një moment kyç për shumë nga këto vende. Ndërsa ka pasur përparim të mirë drejt normalizimit midis Serbisë dhe Kosovës, si dhe Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në rrugën e pranimit në BE, ka ende një rrugë për të bërë. Senatori Peters dhe unë do të dërgojmë mesazhin e fortë se Shtetet e Bashkuara janë investuar në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe mbështesin rrugën e tyre drejt integrimit evropian”, deklaroi senatori Murphy, sipas një njoftim për shtyp të Senatit amerikan mbi vizitën e tij dhe senatorit Peters në rajon.

“Jam krenar që përfaqësoj komunitetet e lulëzuara shqiptare dhe kosovare në Michigan dhe ky udhëtim është një mundësi e rëndësishme për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Ballkanit Perëndimor dhe për të diskutuar qëllimet tona të përbashkëta strategjike”, tha senatori Peters, duke shtuar se “ne vazhdojmë të mbështesim një paqe të qëndrueshme dhe marrëdhënie të normalizuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të punojmë së bashku me partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor për të thelluar lidhjet ekonomike, sociale dhe të mbrojtjes”.

 

Fraksion.com