AktualitetTë fundit

“Veprova nga gjaknxehtësia”, zbardhet dëshmia e Habib Rexhës, vrau Arian Gosën për të marrë hakun e vëllait

Pasi është dorëzuar në policinë e Kavajës, Habib Rexha ka deklaruar se vrasjen e Arjan Gosës nuk e kishte planifikuar, por e ka kryer atë në gjaknxehtësi e sipër.

Sipas dëshmisë së dhënë në polici, ai ka qenë me një shokun e tij kur ka parë Arjanin të ulur në lokal.

31-vjeçari ka deklaruar se pasi e ka parë shënjestrën, është zhvendosur me makinë rreth 200 metra më tutje, ku ka lënë mjetin dhe është kthyer në këmbë bashkë me armën që e mbante në makinë.

“Isha pranë një kinkaleria bashke me një shokun tim. Pashe qe shënjestra ka qene ulur ne lokal. Pashë atë dhe ika 300 metra larg. Lashë makinën atje dhe u ktheva ne këmbe. Armen e mbaja me vete. Shoku nuk ka qene ne dijeni. E pashe rastësisht ne kafe. Veprova nga gjaknxehtësia.

U largova bashke me shokun nga Durrësi me drejtim te Kukësit.”-mësohet të ketë deklaruar në polici dhe në prani të prokurorit të çështjes Habib Rexha i cili akuzohet për vrasjen e Arjan Gosës të dielën në një lokal përbri shkollës 9-vjeçare “Rilindja” në Kavajë..

Habib Rexha, 31 vjeç, u vetëdorëzua, pas negociatave të vazhdueshme të policisë, gjatë dy ditëve të fundit me familjen e tij, por edhe në pamundësi për t’u larguar nga vendi.

31-vjeçari që ekzekutoi për hakmarrje me një plumb në kokë Arjan Gosën do të përballet me drejtësinë për krimin e kryer pasditen e vonë të së dielës në Kavajë. Viktima u vra ndërsa ndodhej në lokal së bashku me babain e tij të moshuar, dëshmia e të cilit është pjesë e dosjes hetimore për ngjarjen.

Babë e bir qenë ulur shkujdesur në pjesën e jashtme të lokalit dhe po ndiqnin një ndeshje futbolli. Të dy kanë qenë me kurriz nga rruga, ndaj nuk e kanë parë autorin kur ka hyrë në lokal.

“Ishim duke parë ndeshjen. Dëgjova vetëm një krismë dhe e pashë djalin që ra në tokë dhe dikë që iku me vrap.” Kaq ka mundur të dëshmojë, 78-vjeçari Osman Gosa i cili në më pak se dy muaj humbi dy djemtë e tij, Edmondin 43 vjeç dhe Arjanin 47.

I tronditur nga gjithçka përjetoi në moshë të thyer, Osman Gosa nuk e kishte menduar se do të humbiste dhe djalin tjetër si pasojë e krimit në të cilin u përfshi i biri Edmondi dhe që i mori jetën. Vëllai i Habibit, Altin Rexha u qëllua nga Edmond Gosa në prani të djalit të mitur, teksa po kthehej në shtëpi me të.

Meqë të dyja palët e përfshira në konfliktin e 29 marsit, Edmond Gosa dhe Altin Rexha vranë njëri-tjetrin, familja Gosa nga Kavaja nuk e kishte dyshuar hakmarrjen, që nuk vonoi. Pas dorëzimit, Habib Rexha pritet të dalë para gjykatës për caktimin e masës së sigurimit personal.

 

Fraksion.com