AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Reforma e pagave, Ibrahimaj: Efekti financiar 39 miliardë lekë, përfitojnë mbi 130 mijë punonjës

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj u shpreh sot se, efekti financiar i rritjes së pagave për administratën publike është rreth 39 miliardë lekë dhe nga kjo reformë do të përfitojnë 130 330 punonjës.

Ibrahimaj ishte sot e pranishme në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave gjatë shqyrtimit të ndryshimeve në ligjin “Për pagat, shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”.

Ibrahimaj theksoi se, ky projektligj synon t’i hapë rrugë një reforme të thellë të pagave në administratën publike, duke filluar nga e gjithë hierarkia shtetërore.

“Sot përmes këtij projektligji synojmë të bëjmë realitet një rrije pagash të pamenduar deri para disa vitesh, duke e çuar pagën mesatare në administratën publike 900 euro në harkun kohor të një viti, në dy hapa. Ne kemi vijuar me reformën e rritjes së pagës minimale, ku prej prillit e kemi çuar 40 mijë lekë. Synimi është që brenda këtij mandati qeverisës, paga minimale të shkojë 45 mijë lekë. Kjo politikë synon t’i vijë në ndihmë një fashe punonjësish që të marrin paga sa më dinjitoze”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se, në hartimin e projektligjit janë analizuar diferencat me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ndërsa theksoi se, synohet që në harkun kohor të 10-15 viteve në vijim paga në vend të bëhet e krahasueshme me mesataren e BE-së.

“Objektivat kryesore që synon të arrijë projektligji janë krijimi i një piramide të nivelit të pagave për disa institucione kushtetuese dhe të pavarura, e cila do të jetë në përputhje me rëndësinë e tyre. Me përcaktimin e pagës së Presidentit si paga më e lartë në Republikën e Shqipërisë, janë të lidhura gjithashtu disa funksione të tjera kushtetuese dhe të pavarura të krijuar me ligje specifike, duke krijuar kështu një hierarki mes këtyre funksioneve, por njëkohësisht duke u shkëputur ndjeshëm nga funksione të tjera të administratës publike”, tha ajo.

Ibrahimaj theksoi se, nga viti 2006 kanë ndodhur disa ndryshime ligjore që ndikojnë në fushën e veprimit të ligjit që është aktualisht në fuqi.

“Mund të përmendim miratimin e disa ligjeve të reja për disa nga institucionet pjesë e fushës së përgjegjësisë dhe veprimit të ligjit aktual, ashtu si edhe ndryshimin e emërtimeve të institucioneve, të cilat në disa raste janë hequr nga fusha e veprimit. Ne duam të vijojmë me hierarkinë e pagave të administratës publike duke krijuar mundësinë për realizimin e reformës së pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike qendrore dhe vendore duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për të tërhequr dhe mbajtur individët e kualifikuar”, shtoi ajo.

Sipas Ibrahimaj, reforma e rritjes së pagave për disa grupe të tjera të nëpunësve dhe punonjësve të administratës publike nuk mund të jetësohet nëse nuk miratohet ndryshimi i propozuar.

“Aktualisht jemi në kushtet që çdo rritje page e nëpunësve, pa ndryshuar ligjin, do të ndikonte në përkeqësimin e mëtejshëm të hierarkisë aktuale të pagave. Përfituesit e këtij ligji janë Presidenti i Republikës titullarët dhe anëtarët me kohë të plotë të organeve kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe institucione të tjera të pavarura. Janë 250 funksionarë politikë dhe funksionarë të tjerë që pagën e kanë të lidhur me pagën e Presidentit dhe efekti financiar vjetor shtesë vetëm për këtë kategori llogaritet 20 milionë lekë”, theksoi Ibrahimaj.

Konkretisht, ajo theksoi se, paga e Presidentit propozohet të rritet në nivelin 425 mijë lekë nga 257 mijë lekë aktualisht.

“Koeficentët e pagës për pozicionet që kanë të bëjnë me institucionet e Kuvendit dhe të Ekzekutivit janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave për ta rikonsideruar në një moment të dytë. Kjo sepse kemi pasur për qëllim të përqendrohemi fillimisht tek finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish, sikundër janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendrore dhe vendore”, shtoi ministrja.

Ibrahimaj tërhoqi vëmendjen se, në rast se paketa e reformave të pagave, projektligji dhe aktet nënligjore nuk miratohen duke hyrë në fuqi në 1 prill, sjellin vonesa në zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe paga neto e punonjësve të cilët janë objekt i kësaj reforme mund të ulet si rrjedhojë e rritjes automatike të kufirit maksimal të pagës referuese për efekt të kontributeve të sigurimeve shoqërore.

 

Fraksion.com