AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Sfida më e madhe është harta e 14 majit

Kryeministri Edi Rama vijoi sot turin e takimeve falënderuese pas zgjedhjeve vendore të 14 majit në Lezhë dhe Kurbin, nga ku bëri të ditur se braktisja që iu bë opozitës nga të djathtët e ndershëm është një shërbim i madh për Shqipërinë, por edhe për të djathtën, pasi ndihmojnë rilindjen e saj.

“Një falënderim për të gjithë ata të djathtë që na e dhanë votën. Ju jam mirënjohës! Por edhe për ata të djathtë që nuk dolën fare në votim. Ka plot të djathtë që nuk kapërcejnë dot “ylberin”, se iu duket mëkat i madh, por është e rëndësishme që nuk ndyen dorën për të vënë kryqin aty ku do të kishin vënë kryq gjithë historisë së familjes së tyre dhe ku do të kishin rënduar kujtimin e paraardhësve në familje që kanë përcaktuar familjen si djathtas. Braktisja që iu ka ndodhur atyre të tjerëve nga të djathtët e ndershëm, nga ata që e vuajnë çështjen e së djathtës e që ne nuk na shikojnë dot me sy është një shërbim i madh për Shqipërinë, por edhe vetë të djathtën. Duhet ta dinë se duke i shkuar pas deri në humnerë atyre që mbajnë flamurin e së djathtës e nuk duhet të mbajnë atë flamur, thjesht shtyhet agonia. Duke i braktisur ndihmohet edhe rilindja e së djathtës”, u shpreh Rama.

Por, vuri theksin ai, rilindjen e së djathtës nuk e ka për detyrë PS ta bëjë. “Ne kemi detyrë të bëjmë rilindjen e Shqipërisë“, u shpreh Kryeministri.

Ai shtoi se sfida më e madhe është harta e 14 majit.

“Për herë të parë ajo hartë nuk është e ndarë në dy, si një trup i ndarë, ku lexohet një dasi e madhe. Për herë të parë ajo hartë është harmonike. Kur e them këtë, nuk them të bëhet Shqipëria një parti, por jam duke thënë që ajo është një sfidë shumë e madhe, sepse ne, socialistët, e lexojmë atë hartë si triumf të socialistëve mbi të tjerët, po ju them se ne hyjmë në pyll pa sopatë dhe dalim të humbur. Nëse ne e lexojmë atë hartë si rezultat i një shkëputjeje shumë të rëndësishme nga trungu i kalbur i së djathtës dhe e marrim atë hartë si një sfidë jo për të bërë qeverisjen tonë mavi, por kuqezi, atëherë ajo hartë do të jetë gjithmonë e më pak e ndarë, e gjithmonë e më shumë reflektim i votës me mend”, deklaroi Kryeministri.

Ai tha se edhe ata që votuan opozitën duhet ta kishin braktisur.

“Duhet ta kishin braktisur totalisht, se edhe ato 200 e ca mijë vota janë shumë. S’duhet të kishin marrë fare, për të gjitha ato arsye që kemi shpjeguar në fushatë”, tha Rama.

 

Fraksion.com