AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Shkodra u përket të gjithëve, të majtë dhe të djathtë

Në takimin falënderues në qytetin e Shkodrës, për zgjedhjet e 14 majit, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shkodra u përket të gjithëve.

Kryeministri Edi Rama falënderoi të gjitha ata që mbështetën PS dhe Benet Becin.

“Jemi këtu në radhë të parë për të bërë një falënderim nga zemra për të gjitha ata që në 14 maj dolën, votuan Benetin dhe votuan Partinë Socialiste. Për herë të parë jemi forcë e parë politike në këshillin bashkiak. Dua të falënderoj edhe ata që nuk dolën të votojnë, duke e parë të pamundur të votojnë për Benetin dhe për ne, por duke e arsyetuar si të pamundur për të dalë dhe votuar për ata që përsëri e përsëri u kthyen, jo vetëm në zhgënjim, por edhe në një njollë për të gjithë demokratët shqiptarë”, tha ai.

Rama shtoi se, këtë rezultat në Shkodër e konsideron si sfidën më të madhe që i është bërë atij dhe Partisë Socialiste.

“Për hir të së vërtetës patëm edhe një debat për punën e zemrës, sepse unë mendoj se vota e Shkodrës ka qenë përtej votës së socialistëve, përtej atyre që e kanë votuar tradicionalisht, ka qenë një votë me mendje sesa me zemër. Kjo është pjesa më e rrezikshme e kësaj vote. Sipas meje, të gjithë ata që kanë bërë diferencën në këto zgjedhje janë ata që nuk e kanë votuar tradicionalisht PS, por kanë gjykuar që mbase këtë herë është rasti që të mos vazhdojnë për të votuar me sytë mbyllur dhe pa mendje dhe vetëm me atë zemrën që ka 30 e ca vite që e kanë djathtas, por me mendje, që dakord, po ia japim një shans këtyre dhe ndërkohë s’kemi se çfarë presim, se mendja nuk na gënjen për momentin për ata që na kanë marrë votën 30 e ca vite. Kjo është pjesa më problematike e kësaj vote, sepse kush të voton me zemër dhe vetëm me zemër të jep një kredi afatgjatë, siç ka ndodhur me palën tjetër. Ajo ka qenë për shumë vite një kredi praktikisht pa interesa, që u kthye në një dëm të jashtëzakonshëm për ata që votuan, votuan e votuan, por ishte një votë zemre. Dhe unë e kam parë nga eksperienca ime këtu. Kam ardhur 9 herë për të bërë fushatë, dhe e kam ndjerë në 8 herët e mëparshme se mendja e shumicës ishte e mbyllur dhe nuk kishte hapësirë për të lënë mesazhin. Veshët ishin të mbyllura, mendja ishte e mbyllur, sytë ishin mbyllur dhe zemra rrihte djathtas, dhe prandaj në mënyrë të përsëritur vota shkoi vetëm në një drejtim. Këtë herë është e kombinuar”, tha ai.

“Ne e kemi detyrim dyfish që këtë investim që njerëzit kanë bërë, dhe nuk e kanë bërë vetëm socialistët, por edhe një pjesë tjetër që nuk janë socialistë, kemi detyrimin ta kthejmë në një shlyerje borxhi që duhet të ketë parasysh këtë fakt, që nga mënyra si Beneti do të qeverisë bashkinë. I kam thënë sot që bashkia e Shkodrës do të jetë bashkia e të gjithëve dhe këtë duhet ta reflektojë, jo thjeshtë në faktin se investimet dhe shërbimet janë për të gjithë, por duhet një vlerësim i të gjitha burimeve njerëzore që janë aty dhe në bazë të meritës që ata njerëz përfaqësojnë duhet të ndahen të njomët nga të thatët. Duhen ndarë ata që mund të jenë aty dhe kanë votuar PD, por që janë edhe njerëz të zotë. Ata nuk duhen prekur, ndërsa pjesa tjetër t’u lihet vendi atyre që janë të zotë”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com