AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Momenti të shohim nga vetja se çfarë bëmë gabim

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku u shpreh sot në një prononcim për mediet përpara nisjes së seancës plenare të Kuvendit, se Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë.

Ajo iu përgjigj interesimit të medias për rezultatin e Partisë Demokratike në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke theksuar se qëndrimin e saj e dha pasi priti përfundimin e numërimit të votave.

“Unë kam të njëjtin qëndrim që kisha që në fillim të shtatorit. Kam bërë thirrje për të gjithë ata që janë në PD, pak rëndësi ka që mendojnë ndryshe, që PD duhet të ishte bashkë dhe të kishte ofertë të unifikuar. Kam bërë thirrje që secili prej nesh të mendonte më shumë se interesat e veta personale, kam bërë thirrje që PD të ndryshonte mendësinë, të ndryshonte ofertën, sjelljen”, theksoi Tabaku.

Në këtë moment, sipas saj, kërkohet të mos përsëriten gabimet e së shkuarës.

“Të reflektojmë, të mos vijojmë po njësoj me të njëjtat justifikime por të kalojmë një proces i cili do kohë por t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuan. Nëse do kishim ndryshuar ofertën e PD do i kishim lënë vendin jo llumit, jo mllefit, jo sulmit, jo përçarjes por bashkimit dhe ofertës së PD në 1, situata do ishte ndryshe”, vijoi Tabaku.

“Ka ardhur momenti që të reflektojmë e të sillemi ndryshe. Duhet të shohim nga vetja se çfarë bëmë gabim. Të pranojmë që PD s’është as më e madhe, as më e bashkuar, as më e fortë se këtë treguan rezultatet. S’mund të jemi refuzimi i shqiptarëve, por alternativa”, tha ajo.

Tabaku u shpreh se dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për të. “Mbrëmë kam pasur një takim me Gazment Bardhin, kemi diskutuar për këtë çështje”, tha ajo.

 

Farksion.com