AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Basha dhe Alibeaj të përjashtuar përfundimisht, PD e hapur për gjithë të tjerët për negociata

Sali Berisha u shpreh këtë të enjte se PD-ja është e hapur për këdo që do debat apo negociata për bashkim. Të vetmit që janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD-ja, sipas Berishës, është Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj.

Pyetje: Rezultatet treguan që përçarja e PD ka ndikuar shumë në zgjedhje, Alibeaj u dorëhoq. Tabaku dha një lloj drite jeshile për bisedime me grupin tuaj. A keni nisur negociata?

Sali Berisha: Qëndrimi dhe deklarata ime është kjo, dy persona janë të larguar në mënyrë përfundimtare nga PD. Njëri është Lul Brava, tjetri është Alibasha i cili mori vetëm sot shpërblim nga Edi Rama 220 mijë Euro. PD-ja është e hapur për të gjithë të tjerët, për debat, për negociata, për çfarë të dëshirojnë. Ky është qëndrimi ynë, por dy personat, pengje të Edi Ramës, u përdorën në mënyrë më të pamëshirë nga ai për të goditur opozitën shqiptare.

Sa i përket rezultatit ju bëj thirrje t’i lexoni rezultatet me realizëm. Partisë Demokratike iu mohua logoja, Partisë Demokratike iu mohua kryetari i koalicionit. Ata të dy (Basha dhe Alibeaj) janë vetëlarguar nga PD me aktet që kanë bërë.

Sipas Berishës, Rama përdori metoda alla-Putin për të fituar zgjedhjet.

“Çfarë fitore është ajo? Ajo është tmerr-fitore.  Sepse pasojat sigurisht që ishin për PD-në, por më të rënda qenë për atë. Se ai parashikoi jo vetëm që ajo të ishte një kolpo asgjësuese, përfundimtare. Por në fakt u përball me të kundërtën”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, 180 mijë persona nuk votuan për shkak të listave.

“PD siç theksova më parë e zotuar të mbrojë votën e shqiptarëve e konstatoi, e denoncoi dhe e dërgoi tek SKAP-i i Partisë. SKAP-i i partisë vetëkuptohet që e përcolli siç mori urdhër, por ditën e votimit nuk votuan për shkak të listave 180 mijë qytetarë shqiptarë. Siç e shihni këto zgjedhje janë zgjedhje në të cilat u morën që të gjitha masat nga kërcënimi me revolen në ballë, tek pushkatimi”, u shpreh Berisha.

“Me të gjithë aktet e tij kriminale, 510 mijë shqiptarë u ngritën mbi të gjitha dhe i thanë se opozita shqiptare është e pamposhtur. Unë jam këtu për të thënë se këto zgjedhje janë një farsë elektorale e paprecedent. Unë kam besim të plotë se shqiptarët do t’i japin përgjigjen e merituar. Ne jemi zotuar se do mbrojmë votën. Është gjë e paimagjinueshme kjo që bëjnë mediat, të cilat përpiqen të bindin shqiptarët se nuk është përgjegjës hajduti, por viktima. Ky është një akt amoraliteti. Por ne qëndrojmë, ja ku jemi përditë në mbrojte të votës.”, tha Berisha.

 

Fraksion.com