AktualitetKosovaPolitikëTë fundit

“Sikur pashë Zelensky-n 10 vjet më vonë”, Rama: Padrejtësia ndaj luftës çlirimtare të Kosovës dhe Thaçit nisi në Këshillin e Europës

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në sesionin “Të bashkuar rreth Europës”, në Samitin e liderëve të Këshillit të Europës që po mbahet në Islandë.

Në fjalën e mbajtur në këtë samit, Rama theksoi se “si shqiptar është e pamundur për mua të shmang heqjen e paraleles midis Ukrainës e Presidentit Zelensky e Kosovës dhe Presidentit Thaçi”.

“Sot në këtë samit të Këshillit të Europës nuk rri dot pa kujtuar se padrejtësia kundrejt luftës çlirimtare të Kosovës dhe udhëheqësit të saj, Hashim Thaçi nisi saktësisht në Këshillin e Europës nën ndikimin dashakeq të ish-anëtarit të asaj kohe të këtij Këshilli, Federatës Ruse”, tha Rama.

Kryeministri tha se “Presidenti i Kosovës, ose si Joe Biden iu referua ‘Xhorxh Uashingtoni’ i Kosovës, gjykohet tanimë nga një gjykatë e veçantë e ngritur dhe e themeluar nga bota demokratike, por e mbështetur në një raport të vitit 2019 të KiE-së, i cili në mënyrë djallëzore u sponsorizua nga përfaqësuesit e Vladimir Putinit në Asamblenë e Këshillit të Europës”.

Ai solli në vëmendje se akuza tërësisht të pabazuara të trafikimit të organeve njerëzore u ngritën atëherë si pikënisja e një fushate kriminale njollosjeje të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Kur dëgjova propagandën e Kremlinit të flasë për trafikimin e organeve njerëzore nga neonazistët në Donbas, mu duk sikur pashë Presidentin Zelensky 10 vjet më vonë, gjykuar nga një gjykatë e veçantë ngritur mbi të njëjtat akuza absurde”, tha Rama.

 

Fraksion.com