AktualitetBota+Të fundit

Islandë, takimi i udhëheqësve evropianë mbi koston e luftës së Rusisë në Ukrainë

Udhëheqësit evropianë u zotuan të martën që ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për luftën e saj kundër Ukrainës, ndërsa njoftuan një mekanizëm për të gjurmuar humbjet dhe dëmet e shkaktuara nga forcat e Kremlinit. Udhëheqësit evropianë po zhvillojnë një takim dy-ditor në Islandë.

Kancelari Olaf Scholz, Presidenti Emmanuel Macron dhe Kryeministri Rishi Sunak ishin ndër udhëheqësit që nënvizuan mbështetjen e tyre për Ukrainën në një takim të rrallë të Këshillit të Evropës në Reykjavik.

Përmes një lidhje me video, në takim mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy, në fund të turneut të tij në kryeqytetet evropiane për të siguruar më shumë armë dhe ndihmë përpara fillimit të një kundërofensive kundër forcave ruse.

Presidenti Zelenskiy shfrytëzoi rastin për të nënvizuar pretendimet e Kievit për rrëzimin e raketave hipersonike ruse duke përdorur sistemet e reja të mbrojtjes të dërguara nga Perëndimi. Ai tha në takim se vendi i tij ishte në gjendje të bënte gjithçka.

“Një vit më parë, ne nuk ishim në gjendje të rrëzonim shumicën e raketave të terroristëve, veçanërisht ato balistike”, tha zoti Zelenskiy. “Pyetja ime tani. Nëse jemi në gjendje ta bëjmë këtë, a ka ndonjë gjë që ne nuk mund të bëjmë?”

Rusia ka mohuar se ka vënë qëllimisht në shënjestër popullsinë civile gjatë bombardimeve në Ukrainë, pavarësisht faktit se dhjetëra qytete janë shkatërruar nga sulmet ajrore dhe artileria e saj që nga fillimi i agresionit në shkurt të vitit të kaluar.

Takimi i Rejkjavikut theksoi një mekanizëm për regjistrimin e dokumentuar të provave dhe pretendimeve të dëmeve, humbjeve ose lëndimeve të shkaktuara si rezultat i sulmit rus.

Në takim u trajtuan edhe çështje të tjera, përfshirë edhe situatën e mijëra fëmijëve të dërguar në Rusi ose territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia, në atë që Kievi dhe aleatët i cilësojnë si dëbime të paligjshme.

“Momenti për të reaguar është tani. Demokracitë tona duhet të krijojnë aftësi bashkëpunimi për të tejkaluar vendet që nxisin paqëndrueshmëri”, tha Kryeministri Sunak gjatë fjalimit.

“Ne do ta mbajmë Rusinë përgjegjëse për krimet e tmerrshme të luftës dhe gjithashtu do të nxjerrim mësime nga lufta duke u përgatitur për t’u përballur me kërcënime ndaj shoqërive tona përpara se ato të bëhen shumë të mëdha për t’u përballuar.”

Duke u bërë jehonë komenteve, Kancelari Scholz tha se takimi ishte i rëndësishëm “për të ndëshkuar krimet e luftës së agresorëve rusë dhe për të kërkuar llogari lidhur me dëmin e madh që Rusia i shkakton Ukrainës ditë pas dite”.

Zyra e Presidentit Macron tha se këshilli po shqyrton se si Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës (CEB) mund të ndihmojë në përmbushjen e nevojave të ukrainasve në vështirësi.

Përpara mbërritjes së udhëheqësve , disa institucione publike islandeze dhe faqe interneti të sektorit privat, përfshirë parlamentin, qeverinë dhe gjykatën e lartë, u goditën nga sulme kibernetike.

Grupi i hakerëve pro-rusë “NoName057” mori përgjegjësinë për sulmet përmes një postimi në rrjetin Telegram, duke përmendur veçanërisht takimin e Këshillit të Evropës dhe fjalimin e zotit Zelensky./VOA

 

Fraksion.com