Gjermani – Fillon gjyqi kundër Qytetarëve të Rajhut
Gjyqi kundër pesë anëtarëve të dyshuar të grupit “Patriotët e Bashkuar” fillon të mërkurën (17 maj), në Gjykatën e Lartë Rajonale në Koblenz.
Për çfarë akuzohen të akuzuarit?
Katër burrat dhe një grua 75-vjeçare, që dyshohet të ketë qenë udhëheqëse e grupit, akuzohen se planifikonin shembjen e qeverisë gjermane. Sipas Prokurorisë Federale, grupi i tyre është krijuar më së voni në mes të janarit 2022, dhe kishte marrë emrin “Patriotë të Bashkuar”. Ata akuzohen si themelues ose anëtarë të një organizate terroriste.
Ata kishin në plan të ndërprisnin furnizimin me energji elektrike dhe rrëmbimin e Ministrit të Shëndetësisë, Karl Lauterbach.Kësisoj ata donin të shkaktonin kushte të ngjashme me luftën civile. Qëllimi i tyre ishte t’i jepnin fund demokracisë parlamentare në Gjermani. Pasi të vinin në pushtet, dyshohet se donin të merrnin nën kontroll zyrat qeveritare. Prandaj, Prokuroria Federale i akuzon ata për “përgatitjen e një sipërmarrjeje shumë të pabesë kundër qeverisë federale”.
Sa specifike ishin planet e grupit?
Hetuesit thonë se grupi kishte bërë “përgatitje konkrete”. Informacionet i shkëmbenin nëpërmjet një chat-grupi në shërbimin e internetit Telegram dhe se ishin takuar disa herë në vende të ndryshme. Gruaja ishte nxitësja kryesore për zbatimin e shpejtë të projektit. Ajo vazhdimisht caktonte data specifike për kryerjen e puçit.
Një nga të akuzuarit mbante nën vëzhgim caqet e sulmit për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike. Një tjetër bënte plane për rrëmbimin e ministrit të Shëndetësisë, “ndoshta duke vrarë truprojat e tij”. Për këtë qëllim grupi kishte siguruar kallashnikovë dhe pistoleta si dhe municione luftarake. Ata kishin në plan të importonin tonelata eksplozivi nga ish-Jugosllavia.
A i përkisnin të akuzuarit Lëvizjes së qytetarëve të Rajhut?
Po. Udhëheqësja ideologjike e grupit është një ish-pastore dhe mësuese 75-vjeçare që jetonte në Saksoni. Shkrimet e gruas mund të gjenden në internet. Ato janë shkruar në stilin tipik për skenën e Qytetarëve të Rajhut (Reichsbürger), e cila ka rreth 23,000 ndjekës. Qytetarët e Rajhut mbendojnë se Rajhu Gjerman, pra, shteti gjerman nën udhëheqjen e një perandori, siç ka ekzistuar deri në vitin 1918, vazhdon të ekzistojë. Kështu, sipas tyre, të gjitha organet e sotme shtetërore janë të paligjshme.
Në forume dhe blogje në internet, “Qytetarët e Rajhut” kanë botuar edhe letra të hapura që gruaja thuhet se i ka shkruar – për shembull Vladimir Putinit, Donald Trumpit ose “aleatëve”. Në to ka edhe mendime antisemite, të nënshkruara me “Wilhelm-Imperator-Rex-Descendants”. Pra, ajo e shihte veten si pasardhëse të perandorit të fundit gjerman.
Prokurori federal është i bindur se gruaja dhe bashkëpunëtorët e saj ishin më shumë se mashtrues. Nga teza se Rajhu Gjerman vazhdon të ekzistojë në bazë të kushtetutës së vitit 1871, ata arritën në përfundimin se rendi demokratik i Republikës Federale të Gjermanisë nuk kishte asnjë vlerë dhe se duhet të zëvendësohet me një sistem autoritar të bazuar në modelin e Perandorisë Gjermane.
Pse grupi synonte ministrin e Shëndetësisë?
Në skenën e Querdenker dhe Reichtsbürger, Karl Lauterbach konsiderohet prej kohësh si armik. Edhe para emërimit të tij si Ministër Federal i Shëndetësisë, në dhjetor 2021, profesori i mjekësisë dilte shpesh në media si ekspert i koronës dhe kërkonte masa të rrepta, si kufizimet e kontaktit për të parandaluar përhapjen e virusit. Lauterbach ishte kështu personi më i urryer nga qarqet ekstremiste gjermane, të cilat i refuzonin masat e qeverisë për të luftuar pandeminë në Gjermani. Sot Lauterbach është nën mbrojtje personale gjatë gjithë kohës.
Si u kap grupi?
Një hetues i fshehtë thuhet se ka luajtur një rol qendror në arrestimin e të akuzuarve. Ai kishte qendruar me muaj në afërsi të të akuzuarve. Katër të akuzuarit u arrestuan më 13 prill, ndërsa gruaja më 13 tetor 2022. Që atëherë ata janë në paraburgim. Nëse gjykata arrin në përfundimin, se akuzat ndaj tyre janë të sakta, ata mund të përballen me disa vite burg./DW
Fraksion.com