AktualitetPolitikëTë fundit

Alibeaj jep dorëheqjen nga drejtimi i PD-së: Duhet të bëhet riorganizim i partisë, të shkëputet nga berishizmi

Pas humbjes së thellë në zgjedhjet lokale të 14 majit, Enkelejd Alibeaj njoftoi këtë të mërkurë dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Demokratike.

Në deklaratën e dhënë për mediat, Alibeaj u shpreh se e ka drejtuar partinë më të madhe opozitare në kohën më të vështirë të saj, kur zgjodhi rrugën e qëndresës, duke larguar Sali Berishës, sikurse deklaroi.

Ndonëse foli për presion dhe sistem elektronik defektoz në zgjedhje, Alibeaj pranoi se demokratët duhet të shohin fillimisht nga vetja për të analizuar efektet e përçarjes dhe rezultatit në zgjedhje.

“Zgjedhjet e 14 Majit, padyshim, patën probleme serioze: presione mbi administratën, përdorim të fortësh, përdorim oligarkësh, sistem elektronik difektoz etj. Por, para së gjithash, ne duhet të shohim nga vetja.

Ne duhet të analizojmë me seriozitet efektet e përçarjes së Partisë Demokratike në rezultatin e zgjedhjeve. Ne duhet të vlerësojmë si duhet punën e bërë në terren nga strukturat e partisë, impenjimin e gjithsecilit, kontributin e gjithsecilit, për të kuptuar çfarë shkoi keq dhe çfarë shkoi si duhet. Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar”.

Duke kërkuar një riorganizim të Partisë Demokratike, Aliebeaj njoftoi dorëheqjen.

“Në shenjë reflektimi dhe përgjegjshmërie, kam vendosur të largohem nga drejtimi i partisë dhe po ashtu nga pozicioni drejtues në grupin parlamentar. Partia duhet të riorganizohet në mënyrë kapilare, në bazë të parimeve demokratike, siç e kam theksuar vazhdimisht gjatë fushatës elektorale. Partia duhet të ketë rregulla të reja, parime të reja, për t’u ndarë nga e kaluara berishiste dhe për të ndërtuar një aleancë me potencial për 2025-en. Ne do të duhet të kuptojmë se si t’u flasim jo vetëm demokratëve, por edhe atyre qytetarëve të zhgënjyer nga politika e 30 viteve, të cilët përbëjnë shumicën e heshtur në vend”.

Sipas tij, ka qenë një vendim i Kryesisë që pozicionin drejtues ta mbante deri pas zgjedhjeve vendore, ndërsa tregoi se Kryesia do të mblidhet të premten në orën 12:00.

Enkelejd Alibeaj, që u komandua në krye të Partisë Demokratike pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, do të vazhdojë të mbajë detyrën si nënkryetar dhe do të jetë pjesë e Kryesisë së Partisë Demokratike.

 

Fraksion.com