Këlliçi: Rezultati i zgjedhjeve nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 14 majit, Belind Këlliçi deklaroi sot se, “rezultati i zgjedhjeve të 14 majit, për fat të keq nuk pasqyron realitetin dhe nuk është shprehje e vullnetit të lirë të qytetarëve”.
Në një deklaratë për mediet, Këlliçi falënderoi strukturat e PD-së që dhanë gjithçka nga vetja, ekipin e tij të fushatës, ekipin e kandidatëve për këshillin bashkiak, miqtë, bashkëpunëtorët e shumtë të kësaj fushate, e në mënyrë të veçantë komisionerët, vëzhguesit dhe numëruesit.
“I kërkoj me shumë përulje atyre, të vijojnë numërimin në çdo qendër ku ende duhen garantuar votat për anëtarët e këshillit bashkiak. Çdo votë e hedhur për ekipin tonë, ka një rëndësi jetike për Tiranën”, tha Këlliçi.
Ky rezultat, vijoi Këlliçi, është i ndikuar nga një makineri shantazhi dhe dhune ndaj administratës publike, biznesit dhe qytetarëve.
“Asetet publike janë vënë në dispozicion e janë shfrytëzuar në maksimum për të dhënë këtë rezultat të sotëm. Ne po punojmë çdo orë për të përgatitur dokumentacionin e plotë për çdo shkelje që është kryer. Rezultati nuk i përgjigjet asaj se çfarë njerëzit, qytetarët mendojnë për kryebashkiakun aktual dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme kudo, në çdo cep të Tiranës, në qytet apo fshat”, tha ai.
Këlliçi u shpreh se, “banorët dhe votuesit e Tiranës nuk reaguan në atë shkallë që ta mposhtnin mekanizmin e kundërshtarit që është i bazuar në presion, joshje, intimidim, para korrupsioni dhe në propagandë”.
“Të gjithë ne duhet të reflektojmë rreth kësaj që ka ndodhur dhe unë sigurisht duhet ta bëj i pari. Kjo nuk do të thotë se do tërhiqemi, përkundrazi, duhet që të gjithë bashkë të bëjmë shumë më shumë se kaq. Por së pari duhet të kërkojmë brenda nesh, për të kuptuar saktë dhe analizuar me ftohtësi se çfarë publiku, opinioni, banorët dhe votuesit kërkojnë prej nesh”, tha Këlliçi.
Këlliçi theksoi se, “Tirana ka nevojë për opozitë, po aq sa ka nevojë për ujë të pijshëm. Tirana jonë meriton të qeveriset mirë dhe me ndershmëri. Tirana meriton shumë më shumë, dhe unë do vijoj ta bëj këtë në çdo pozicion apo angazhim që do të gjendem”.
Fraksion.com