AktualitetBota+Të fundit

Durham: FBI nuk kishte arsye të fillonte hetimin për lidhjet mes Rusisë dhe fushatës së zotit Trump

Prokurori i posaçëm, John Durham i ka dhënë fund hetimit të tij katërvjeçar mbi shkeljet e mundshme të FBI-së në hetimin e saj mbi lidhjet mes Rusisë dhe fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016.

Raporti, i publikuar të hënën nga prokurori Durham kritikon ashpër FBI-në, por rezultatet e tij janë larg parashikimit të ish-presidentit Trump se ai do të zbulonte “krimin e shekullit”.

Raporti përfaqëson kulmin e shumëpritur të një hetimi që zoti Trump dhe aleatët e tij kishin pretenduar se do të ekspozonte shkelje masive nga zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe ata të shërbimeve të zbulimit. Në vend të kësaj, hetimi i prokurorit Durham dha rezultate të vogla, me prokurorët që siguruan një pranim fajësie nga një punonjës pak i njohur i FBI-së dhe dy raste penale që përfunduan në gjyq pa dënime.

Raporti gati 300 faqësh përmend ato që prokurori Durham thotë se ishin një numër gabimesh të njëpasnjëshme nga FBI-ja dhe Departamenti i Drejtësisë, ndërsa hetuesit kryen një hetim me pasoja të mëdha politike në vlugun e zgjedhjeve të 2016-ës për të mësuar nëse fushata e zotit Trump po bashkëpunonte me Rusinë për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Raporti kritikon FBI-në për hapjen e një hetimi të plotë bazuar në “të dhëna të papërpunuara, të pa analizuara dhe të pavërtetuara të shërbimeve të zbulimit”, duke thënë se shpejtësia me të cilën FBI-ja e bëri këtë ishte një distancim nga norma. Ai gjithashtu tha se hetuesit u mbështetën në mënyrë të përsëritur në “paragjykimet e konfirmimit”, duke injoruar provat që nënvlerësonin premisat e tyre për një komplot Trump-Rusi ndërsa ata avanconin hetimin.

John Durham, ish-prokuror Federal në Kënektiket, u emëruar në vitin 2019 nga Prokurori i Përgjithshëm William Barr, për të hetuar shkeljet e mundshme të FBI-së në hetimin e saj mbi lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Emërimi i prokurorit Durham u bë menjëherë pas përfundimit të hetimit të prokurorit të posaçëm Robert Mueller mbi lidhjet e mundshme të fushatës së zotit Trump me Rusinë./VOA

 

Fraksion.com