AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Mosfunksionimi i pajisjeve elektronike të identifikimit, dështim spektakolar i KQZ-së

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot dështim spektakolar të KQZ-së, mosgarantimin e fillimit në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë.

Në një konferencë për mediet, Rama u shpreh se, për standardin e zgjedhjeve nuk ka lexuar ende asnjë raport paraprak.

“Por besoj që zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt, përveç dështimit spektakolar të KQZ-së për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë, që me korrektesë dhe dëshirë, që në orët e para të mëngjesit ishin futur në radhë për të ushtruar të drejtën dhe detyrën e tyre kushtetuese”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “kjo ishte një gjë e rëndë, tronditëse për faktin se, pajisjet elektronike të identifikimit kanë garantuar një transparencë shumë më të madhe, një siguri shumë më të madhe”.

“Mosfunksionimi i tyre për arsye nga më banalet, ndërkohë që, dakord KQZ-ja është për të bërë shumë gjëra para dhe pas, por KQZ-ja në fund të ditës është për atë ditë. Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm, por nuk dua të ndalem më tutje në këtë. Me siguri që ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje, aq më tepër kur pamë skenat e tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh, sepse asnjë arkë me çfarëdo gjëje të mbajë brenda, nuk mund të hidhet ashtu në kamion për të shkuar në destinacion”, theksoi kryeministri.

Rama tha se, ishin miliona e miliona euro të vëna në dispozicion nga taksat e shqiptarëve për të garantuar shqiptarët për një proces më të sigurt, më transparent dhe më të mirë zgjedhor.

“Kjo ishte vetmja gjë e veçantë. Të tjerat janë të gjitha gjëra që i kemi dëgjuar”, shtoi Rama.

 

Fraksion.com