Paradoksi i pushtetit. Çfarë e shkakton metamorfozën e udhëheqësve
Njerëzit janë një specie shoqërore, suksesi evolucionar i të cilëve është nxitur nga aftësia për të punuar së bashku. Nëpërmjet bashkëpunimit, ne kemi gjuajtur kafshë shumë më të mëdha se ne, jemi zgjeruar në çdo vend mjedisor, kemi nisur një revolucion teknologjik dhe madje kemi zbritur një njeri në Hënë – të gjitha brenda 200,000 viteve.
Ndërsa këto arritje ndahen nga i gjithë njerëzimi, nuk ka ndodhur e njëjta jë me përfitimet e tyre. Kjo sepse ne nuk evoluam për t’u bërë një specie egalitare, por një specie hierarkike. Pse?
Sipas etnografit dhe konsulentit të lidershipit Simon Sinek, lidershipi – dhe si pasojë statusi dhe pushteti – është një kompromis. Fisi u kërkon udhëheqësve t’i mbrojnë ata, të sigurojnë që të gjithë të marrin pjesën e tyre dhe të jenë të parët që sakrifikojnë veten për të mirën e të gjithëve. Në këmbim, fisi u bindet vendime të liderit dhe i siguron atij/asaj pjesën e luanit të burimeve. Në të kaluarën e largët, kjo do të nënkuptonte më shumë mish, partnere dhe një jetë më e mirë për ata që janë përgjegjës. Edhe sot nuk ka ndryshuar shumë në këtë drejtim.
“Kjo është marrëveshja. Ky është përkufizimi antropologjik i lidershipit”, thoshte Sinek në një intervistë. “Është gjithmonë e balancuar. Përfitimet e lidershipit nuk janë falas. Ato vijnë me koston e interesit vetjak. Ato vijnë me koston e kujdesit për ata që kemi në krye.”
Sinek paralajmëron se ky shkëmbim vjen me një paralajmërim të rëndësishëm. Domethënë, disa liderë nuk e respektojnë pjesën e tyre të marrëveshjes. Në fakt, problemi është psikologjikisht më i thellë se lideri i padrejtë i radhës.
Ne duam udhëheqës të cilët janë të shoqërueshëm dhe që jetojnë sipas një kodi virtyti. Por edhe nëse gjejmë dikë që është i drejtë, i kujdesshëm dhe bashkëpunues, sapo t’i japim pushtetin, diçka ndryshon. Ata bëhen më të prirur të përfshihen në sjellje të vrazhda, egoiste dhe joetike, që i pasurojnë në kurriz të të tjerëve. Psikologu Dacher Keltner e quan këtë “paradoksi i pushtetit” dhe ai e ka studiuar në mjedise të ndryshme si kampuset e kolegjeve, ekipet sportive, vendet e punës dhe, natyrisht, Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Por nuk janë vetëm CEO-t, liderët botërorë dhe yjet e sportit që bien pre e ndikimit të pushtetit. Jepini dikujt (ndokujt!) pak pushtet dhe ai/ajo ka më shumë gjasa të marrë më shumë nga kavanozi i biskotave të përbashkëta.
Do të të kisha dhënë një biskotë (por e hëngra)
Ne priremi të mendojmë për pushtetin si shpërblim për ngjitjen në katet e sipërme të shkallëve shoqërore, por është gjithashtu shumë më i gjerë se kaq. Psikologët e përkufizojnë pushtetin thjesht si aftësinë e një individi për të ndikuar tek të tjerët edhe nëse ata përpiqen të rezistojnë. Keltner e ngushton pak këtë. Ai e konsideron pushtetin si aftësinë e një personi për të modifikuar gjendjet e të tjerëve, duke siguruar ose mbajtur burime ose duke dhënë ndëshkime. E rëndësishmja, këto burime nuk duhet të jenë materiale. Ato mund të përfshijnë njohuri, vëmendje ose dashuri.
Cilido qoftë përkufizimi që preferoni, të dyja sinjalizojnë se diskutimi i pushtetit nuk kufizohet vetëm tek politikanët, udhëheqësit organizativë dhe pasanikët e mëdhenj. Çdokush mund të përdorë pushtetin në kontekstin e duhur shoqëror – siç sugjeron studimi i ashtuquajtur “Përbindëshi i biskotave” i Keltner.
Ja si funksionon: Keltner dhe studenti i tij i atëhershëm Dan Ward ftuan grupe të të njëjtit seks për të hartuar rekomandime politikash për çështjet sociale. Një anëtari të grupit iu dha pushtet rastësisht, për t’u dhënë pikë dy të tjerëve bazuar në performancën e tyre. Pas 30 minutash punë, sinqerisht, të mërzitshme, një eksperimentues do të sillte një pjatë me pesë biskota për një pushim të vogël. Kjo i lejonte dy persona të merrnin një biskotë shtesë ndërsa të tretin e linin pa biskotë.
Keltner dhe Ward zbuluan se individët me pushtet jo vetëm që kishin më shumë gjasa të merrnin një biskotë të dytë, por edhe t’i hanin biskotat e tyre në mënyrë më të çrregullt. Ata hanin me gojë hapur, përplasnin buzët dhe merakoseshin më pak se mos i binin thërrimet në këmisha.
Një studim tjetër i publikuar në Social Justice Research u përpoq të përsëriste rezultatet e Keltner dhe Ward. Këtë herë, studiuesit ofruan vetëm mjaftueshëm biskota për secilin pjesëmarrës sa për të marrë një, dhe, ofruan arsye për rolet e caktuara. Në varësi të grupit, ata i thanë pjesëmarrësit të autorizuar se iu caktua pozicioni i tyre për një arsye legjitime (të themi, aftësi), një arsye të jolegjitime (favoritizëm) ose pa arsye.
Si më parë, pjesëmarrësit me pushtet e rrëmbenin një biskotë të dytë më shpesh. Është interesante se udhëheqësit e legjitimuar ose atyre të cilëve nuk u jepej asnjë arsye për rolin e tyre merrnin më shpesh një biskotë shtesë. Ata që e ndjenin pushtetin e tyre të paligjshëm hanin mesatarisht po aq biskota sa gjithë të tjerët.
Fuqia për të ndryshuar zemrat dhe mendjet
Studimi Cookie Monster nuk është i vetëm në sugjerimin se pushteti ndryshon sjelljet sociale dhe etike të dikujt. Në një seri studimesh të botuara në Proceedings of the National Academy of Sciences, Keltner dhe psikologu Paul Piff eksploruan se si njerëzit me status më të lartë socio-ekonomik silleshin ndryshe nga ata me status më të ulët në situata të ndryshme.
Në eksperimentet e tyre laboratorike, ata që u identifikuan si të klasës së lartë u zbuluan se kishin më shumë gjasa të:
Mbështetnin sjellje joetike.
Gënjenin gjatë negociatave.
Mashtronin për të rritur shanset për të fituar.
Dhe merrnin karamele nga një kavanoz me karamele, edhe pasi iu tha se karamelet ishin për fëmijët në laboratorin ngjitur.
Jashtë laboratorit, studiuesit vëzhguan shoferët në një kryqëzim për të parë se si vepronin rreth automjeteve të tjera dhe këmbësorëve. Ata zbuluan se makinat që zakonisht lidhen me status të lartë (Mercedes ose BMW) kishin më shumë gjasa të prisnin rrugën e automjeteve të tjera dhe të mos e ulnin shpejtësinë në një vendkalim këmbësorësh sesa një Ford Taurus ose Pontiac Grand Am.
Psikologët supozojnë se arsyeja për sjellje të tilla antisociale është se pushteti ndryshon mënyrën se si ne lundrojmë dhe përjetojmë botët tona sociale. Na bën më të interesuar dhe të orientuar drejt qëllimit, gjë që mund të jetë një gjë e mirë (siç do ta shohim). Por nga ana tjetër, kjo na bën gjithashtu më pak të kujdesshëm, empatikë dhe të vëmendshëm ndaj rreziqeve – edhe kur pasojat e një basti të keq mund të prekin të tjerët.
Në një analogji, Keltner vuri në dukje se si njerëzit që dëmtohen në lobet frontale të trurit të tyre – një zonë e lidhur me ndjeshmërinë, vetëkontrollin dhe personalitetin – bëhen më të vrazhdë, më impulsivë dhe më të shkëputur nga të tjerët. “Studimet tona laboratorike zbulojnë se nëse u jep njerëzve pak pushtet, ata duken si pacientë me traum në tru,” tha Keltner në kanalin YouTube të Universitetit të Kalifornisë. “Kur ndihesh i pushtetshëm, humb kontaktin me njerëzit e tjerë.”
Ndërsa pushteti nuk shkakton tamam-tamam dëmtim të trurit, studimet sugjerojnë se ndryshon mënyrën se si truri ynë funksionon në situata sociale. Një studim monitoroi përgjigjet e trurit të pjesëmarrësve me një EEG ndërsa ata shikonin imazhe të shprehjeve neutrale ose shqetësuese të fytyrës. Ai zbuloi se pjesëmarrësit që u identifikuan si të klasës së lartë kishin një reagim të reduktuar ndaj dhimbjes së të tjerëve pavarësisht se vetë raportonin nivele më të larta të ndjeshmërisë. Një studim tjetër zbuloi se pjesëmarrës të tillë treguan më pak aktivitet nervor në një makinë fMRI kur përpiqeshin të “përjetonin” emocionet e dikujt.
Lord Acton kishte të drejtë
Në këtë pikë, të dhënat duket se priren në drejtimin e aforizmit të Lord Acton: “Pushteti korrupton dhe pushteti absolut korrupton absolutisht”. Në fakt, Acton shkroi se “pushteti tenton të korruptojë”, gjë që është një dallim i rëndësishëm si për kuptimin e tij ashtu edhe për literaturën shkencore mbi pushtetin.
Si fillim, kërkimi mbi pushtetin është relativisht i ri dhe ka kufijtë e tij. Shumë nga këto studime kanë madhësi të ulëta të mostrës dhe është sfiduese të kontrollohen për shumë variabla të jetës, kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si pushteti. Përpjekjet për të parë ndjenjat e pushtetit në një laborator, për shembull, mund të mos çojnë në të njëjtat ndjenja subjektive të fuqizimit të përjetuara nga të pushtetshmit në jetën e përditshme. Këto cilësi janë të vështira për t’u vlerësuar në mënyrë adekuate në një laborator ose nëpërmjet pyetësorëve.
Në mënyrë të ngjashme, treguesit e lidhur të pushtetit dhe statusit socio-ekonomik të përdorur në disa studime mund të ngatërrojnë rezultatet.
Së dyti, ne kemi injoruar gjysmën tjetër të monedhës së pushtetit: aftësinë e tij për të lartësuar gjithashtu tipare të virtytshme. Studimet kanë treguar se pushteti mund t’i ndihmojë njerëzit të bëhen më të sigurt, optimistë dhe krijues. Ai gjithashtu mund t’i ndihmojë njerëzit të kontrollojnë më mirë vëmendjen e tyre dhe të marrin rreziqe – gjë që mund të jetë një tipar pozitiv kur rreziqet në fjalë janë të nevojshme dhe të matura.
Edhe Eksperimenti i Burgut të Stanfordit – një eksperiment famëkeq me vlerë të dyshimtë shkencore – tregon se marrëdhënia midis pushtetit dhe korrupsionit nuk është aq e qartë. Ai u përpoq të simulonte një mjedis burgu dhe të shqyrtonte se si dinamika e pushtetit ndryshoi sjelljen midis pjesëmarrësve “roje” dhe “të burgosur”. Megjithatë, siç vëren psikologu Scott Barry Kaufman, jo çdo roje u deh në mënyrë abuzive me pushtetin. Disa ishin aktivisht të sjellshëm me të burgosurit, madje bënin porosi për ta dhe plotësonin kërkesa të dobishme.
“I vënë në përdorim të mirë, pushteti mund të ketë një efekt tepër pozitiv te njerëzit. Ka kaq shumë mësues, shefa, politikanë, humanitarë dhe të tjerë të dhembshur që zotërojnë pushtetin, të cilët vërtet duan ta bëjnë botën një vend më të mirë”, shkruan Kaufman në Revistën Greater Good.
Fraksion.com