AktualitetLife StyleOp-EdTë fundit

Boll i bëtë budallenjtë të famshëm

Nga Kristina Hasa

 

Që televizionet shqiptare ka kohë që servirin spektakle të shëmtuara kjo nuk është më surprizë dhe as diçka që mund të tërheq.

Personalisht jam rritur me ‘E diell’, në kohën kur ky emision maratonë moderohej nga emra si Alban Dudushi, Arbana Osmani, Adi Krasta, Xhemi Shehu, Ornela Bregu etj. Asokohe kishte rubrika që i kam në mendje edhe sot. Për shembull, sfidat midis nxënësve të gjimnazeve të ndryshme, apo lojëra mes të rinjve.

Ditët e sotme kjo është zëvendësuar nga rubrika si ‘Trotuar’ dhe përballje mes Serenave dhe Shqipeve. Një nga rubrikat më të shëmtuara që ka marrë kohë televizive në një prej televizioneve më të rëndësishme kombëtare në një të dielë në drekë, kur zakonisht familjet janë përballë ekranit të gjithë bashkë.

Jo, nuk është rasti i familjes sime. Personalisht këtë përballje titanesh mes dy figurave kaq të shquara shqiptare e pashë nëpër video në TikTok. Ishin gjithandej.

Të dyja vajza pa asnjë kontributë të veçantë në shoqëri, në art, kulturë apo jetën publike. Shqipja, një nga ish-konkurrentet e Për’puthen e cila u përjashtua nga ai emision për sjelljet e theksuara bullizuese dhe homophobe. “Konkurrentja Shqipe Hysenaj, në mënyrë të përsëritur ka shfaqur sjellje të papërshtatshme dhe të dënueshme në raport me moralin shoqëror, çka nuk e klasifikon atë si një model që të rinjtë duhet ta ndjekin.”-tha produksioni i emisionit asokohe.

Mirëpo, Shqipja u përjashtua nga studio e Për’puthen dhe u zhvendos në E diell, ku zihet me njerëzit, bërtet, ofendon dhe i kërkon llogari Serenës për moral.

Serena nga ana tjetër, vetëm 21-vjeç, njihet si modelja e skandaleve. Serena bën twerk nëpër studio televizive e rrjete sociale. Ajo thotë se do bënte gjithçka për famë, edhe kasta seksi, bën deklarata të forta në çdo dalje dhe shpesh realizon video live në TikTok ku flet për tema +18.

Tani, Shqipja u ul përball Serenës për t’i kërkuar të respektonte veten, mos të kërcente e i thotë se është “shalqi me provë”. Serena nga ana tjetër i drejtohej me krenari se e do veten shumë dhe se ‘një jetë kena, o burrneshë’. Ajo pretendon të ndryshojë Shqipërinë sepse thotë ‘’çfarë ka Kim Kardashian më shumë se në që ka bërë sex-tape dhe është bërë miliardere?”

Kulmi s’ka ardhur ende. “Ti shkon me njerëzit, moj. Ti shkon e noqesh me të gjithë”- i thotë Shqipja. E dini sa herë e ktheva këtë pjesë, mos po më bënin veshtë. Por, jo! “Çfarë të duhet ty se me kë shkoj unë, moj?”- i thotë Serena, që përtej të gjithëve në këtë gjë ka të drejtë.

Çfarë i duhet Shqipes dhe krejt panelit që e vunë në mes më pas për ta edukuar se çfarë bën Serena me jetën e saj? Nëse ju duket një model i gabuar mos e promovoni.

Ti je një njeriu me influencë të ndjekin të rinjt dhe duam të na përçosh ndonjë mesazh”- i tha Manushi Serenës. Epo, ja cfarë mesazhi nxorën disa:

Në mediat sociale, duket se figura e Serenës ka filluar ‘të mitizohet’. Domsodo… Është e trishtë të shohësh media që promovojnë njerëz të tillë duke përfituar nga numri i madh i ndjekësve që kanë. Në mënyrë indirekte, ata dërgojnë mesazh veçanërisht për brezin e ri, i cili ndikohet lehtësisht, që ‘kjo është një rrugë e shpejtë për t’u bërë i famshëm dhe nuk ka rëndësi çfarë bëni për të arritur famën’.

Rezultati:

Vetëm në këtë vend ndodh që ky debat i stisur dhe i sjellë në mënyrën më të shëmtuar, mund të marrë hapsirë në mes të ditës në një rubrikë që pretendon se ‘trajton tema të cilat prekin diskutimet e përditshmërisë sonë.’ Çfarë kontributi ka në media ky debat? Kjo përballje më falni*.

Realisht, boll u servirët të rinjve modele të tilla. Boll na e mbajtët Shqipen në panel si të ishte filozofja më e madhe që ky vend ka dhe filloni të hapni dyert dhe të bëheni zëri i problemeve të vërteta të kësaj shoqërie.

STOP making stupid people famous!

“Boll i bëtë budallenjtë të famshëm”, është një frazë e famshme që u krijua në Amerikë kur njerëzit filluan të mërziteshin nga ata që bënin para dhe fansa pas disa veprimeve idiote. Këta njerëz ishin pa ndryshim të cekët, idiotë, të paqartë dhe madje të paditur për veprimet e tyre.

Ironike është se ngritja këtyre figurave në shoqëri vjen kryesisht nga njerëz, të cilët (vetë)konsiderohen të zgjuar, të arsyeshëm, të arsimuar, të ditur dhe që ecin drejt.

Më ka ardhur realisht në majë të hundës me degradimin në ekranet shqiptare. Çdo herë që pyes, “ore pse është i/e famshëm ky person i patalentuar? A i ka sjellë dobi shoqërisë? Ka bërë ndonjë shpikje apo zbulim? Është shkenctar/e, activist/e, sipërmarrës/e apo intelektual/e?” përgjigja është e njëjtë: JO. Arsyeja e famës së tyre nuk është gjë tjetër veçse marrëzia e tyre. Ose kanë bërë një budallallëk, ose një çmenduri ose diçka kundër normës së shoqërisë dhe prej kësaj kanë fituar emër dhe famë.

Por, ne jemi ende në fazat fillestare. Jemi ende te kjo thënie e Umberto Ecos: “Nëse doni të përdorni televizionin për të mësuar dikë, së pari duhet t’i mësoni se si të përdorin televizionin.” /revista Class

 

Fraksion.com