AktualitetBota+KosovaTë fundit

Vriten dy persona në fabrikën e Mercedesit: Motivi i paqartë!

Një 53-vjeçar me prejardhje nga Turqia ka qëlluar mbi dy kolegë të tij të enjten në mëngjes – Autori dhe viktimat ishin punonjës të një kompanie të jashtme që punonte për Mercedesin.

Pas të shtënave vdekjeprurëse në fabrikën e Mercedesit në Sindelfingen pranë Shtutgartit, motivi i të dyshuarit është ende i paqartë. “Vazhdojnë hetimet për sfondin e krimit”, bënë të ditur policia dhe prokuroria, të enjten, 11.05.23 në mbrëmje, në prononcime për media.

Një 53-vjeçar me prejardhje nga Turqia ka qëlluar mbi dy kolegë të tij të enjten në mëngjes – që të tre janë punonjës në kompaninë logjistike Rhenus. I dyshuari u kap në moment nga forcat e sigurisë dhe më pas u arrestua. Ai tani ndodhet në paraburgim me akuzën për goditje me pasojë vdekjeprurëse në dy raste. Dy viktimat janë dy burra 44-vjeçarë, po ashtu me prejardhje turke.

Tronditje te stafi

Mercedes-Benz e ndaloi prodhimin në sallën numër 56, ku ndodhi krimi.  “Kjo sallë do të mbetet e mbyllur deri në fund të javës”, tha për mediat një zëdhënës i prodhuesit të automjeteve të enjten, në Sindelfingen. Ai tha se ky është vendim i kompanisë.

Punonjësit në Mercedes janë të shokuar nga kjo ngjarje. “Jemi të tronditur dhe thellësisht të prekur nga ky incident tragjik”, deklaroi një zëdhënëse e sindikatës së kompanisë në Sindelfingen.

Fabrika Sindelfingen e Mercedes-Benz ka nje histori prej mbi njëqind vjetësh. Aty punojnë rreth 35 000 punonjëse dhe punonjës. Përveç markës Mercedes Benz E, aty prodhohet edhe Mercedes Benz S, si edhe varianti elektrik, EQS./DW

 

Fraksion.com