AktualitetKosovaTë fundit

Sot fillojnë kundërpyetjet për dëshmitarin e katërt të prokurorisë

Intervistimi i dëshmitarit të katërt nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), është zhvilluar tërësisht në seancë private, për dy ditë me radhë.

Pas pyetjeve të prokurorisë, në mbyllje të saj seanca është kthyer publike dhe kryetari i trupit gjykues, Charles L Smith, ka bërë të ditur se sot do të fillojnë kundërpyetjet.

Gjithashtu, Smith ka deklaruar trupi gjykues mund të bëjë pyetje në çdo moment gjatë procesit gjyqësor.

“Pyetjet nga trupi gjykues mund të bëhen në çdo moment, nuk janë kundërpyetje, dhe nuk pasqyrojnë pyetjet e palëve, synojnë që të zbulojnë të vërtetën dhe ky është mandati i tyre. Fillojmë me kundër pyetjet të premten në orën 9”, ka thënë Smith.

Në procesin gjyqësor kandër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani janë dëgjuar tre dëshmitarë të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ata po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm./express

 

Fraksion.com