“Mbështetësit e Topçiut më goditën dhe rrëzuan telefonin”, Spaho kallëzon kryebashkiakun e Maliqit: Mbledh vota në këmbim të regjistrimit të traktorëve të fermerëve
Deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho ka kallëzuar sot në Prokurori, kryetarin e Bashkisë së Maliqit, Gëzim Topçiu për përfshirje në aktivitet të paligjshëm elektoral pasi u ka premtuar fermerëve regjistrimin e traktorëve në këmbim të votës.Kallëzimi ka ardhur pas një përplasje mes deputetit demokrat dhe kryebashkiakut socialist në fshatin Vreshtas të Maliqit.
“Rrugës për në Vreshtas takova një traktorist të cilin nuk e njihja se kush ishte dhe si e kishte emrin dhe e pyeta përse iu kanë mbledhur. Ai mu përgjigj se na kanë njoftuar nga pushteti vendor që të vijmë megjithë traktorët në Vreshtas se do të bëhet regjistrimi i tyre dhe pajisja me targa i traktorëve tanë. Unë e pyeta se si do tjua bëjnë me lek apo falas dhe kush do tua bëjë. Ai mu përgjigj nuk e di se si do të bëhet me lek apo pa lek. Më pas e kam pyetur përsëri nëse kjo gjë kishte lidhje me zgjedhjet e të dielës? Ai mu përgjigj “sigurisht që kjo për këtë punë bëhet”, thuhet në kallëzimin e Spahos.
Deputeti demokrat, ka treguar edhe përplasjen me kryebashkiakun Topçiu.
“Te fusha kam hasur në një reagim fyes dhe ofendues nga personat të cilët shoqëronin kryetarin (Topçiun), të cilët mesa kuptova ishin funksionarë të ndryshëm, përfshirë edhe deputetin Ilir Pendavinji. Në këto kushte e kam quajtur hajdut votash dhe mashtrues. Në këtë kohë disa nga mbështetësit e tij më kanë goditur me dorën e djathtë dhe më kanë rrëzuar telefonin me të cilin po filmoja. Pavarësisht kësaj jam ulur në tokë dhe kam marrë përsëri telefonin dhe kam vazhduar të filmoj”, ka treguar Spaho.
Fraksion.com