AktualitetPolitikëTë fundit

Arrestimi i kandidatit të minoritetit grek, Rama e quajti Belerin maskara e mi gjirizesh

Pak orë para se policia në jug të arrestonte Fredi Belerin, në Tiranë, kryeministri Edi Rama e përqendroi pjesën më të madhe të fjalimit të gjatë elektoral tek Himara dhe kandidati i opozitës Fredi Beleri.

“Si ka mundësi që këtë mi të dalë nga gjirizët e historisë më të keqe, e vënë kandidat këta të dy. E vë kandidat faqja e zezë e Shqipërisë. E vë kandidat Salike floriri dhe jo vetëm e vë kandidat, po e mbështesin që ai idjot të çojë përpara idenë e tij të marrë të helenizimit të Himarës dhe ai të marrë hak për 60 vjet dhe nuk e di sesi i ka numëruar vitet se është një analfabet funksional. 60 vjet që sipas tij është shkelur me këmbë minoriteti grek dhe janë grabitur pronat minoritetit grek”, – tha Rama.

Rama e cilësoi Belerin një maskara që ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët shqiptarë në Greqi që të votojnë për të më 14 maj. Ai tha se Napolon Çakalli dhe Spiro Koka janë personat që kërcënojnë emigrantët se do iu grisin letrat greke.
Kreu i qeverisë i paralajmëroi këta dy persona se do të merret personalisht me ata.

“Ky maskara ka angazhuar njerëz për të kërcënuar emigrantët. Unë dua ta shfrytëzojë këtë emision për t’iu drejtuar dy personave me emër. Një Napolon Çakalli, i cili e di shumë mirë se kush është dhe një Spiro Koka, një tjetër personazh. Iu them që mos guxoni të merrni në telefon emigrantët që duan të votojnë ose që mund të vinë të votojnë, as për t’iu thënë që do vini të votoni patjetër për këtë injorantin këtu apo duke i thënë që po votuar për Goron e PS do iu grisim letrat greke dhe unë po iu them në sy do të merrem personalisht me ju të dy dhe jeni ju që rrezikoni që t’i humbisni letrat greke. Avokati më i madh i emigrantëve në Greqi dhe i minoritetit grek në Shqipëri jam unë dhe qeveria ime, është ky shtet”, -tha Rama gjatë intervistës në Opinion.

Kandidati i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’ për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua në orët e para të mëngjesit të sotëm në restorantit e tij nga agjentët e SPAK të mbërritur nga Tirana.

Rama në Himarë

 

Fraksion.com