Lajçak: Të drejtat e pakicave në Kosovë duhet të jenë në pajtim më standardet evropiane
I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha të enjten se për Bashkimin Evropian çdo propozim për të drejtat e pakicave duhet të të jetë në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.
Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albi Kurti, nga ku nesër do të shkojë edhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi.
Vizita e zotit Lajçak në rajon është e para që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i nxitur ata të zbatojnë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve.
Marrëveshja e arritur në Bruksel dhe pajtimi për zbatimin e saj që u arrit në Ohër, parasheh mes tjerash përmbushjen e të gjitha zotimeve të marra në bisedimet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Projekt statuti i këtij Asociacioni i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, nga zyrtarët evropianë u cilësua “një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme”.
Por projekt statuti u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Në vend të tij ai propozoi një model të frymëzuar siç tha, nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.
Zoti Lajçak tha se për Bashkimin Evropian është e pranueshme “ajo që bazohet në normat dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane dhe këtë e kemi thënë që nga fillimi“.
“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme dhe pikërisht atë që po përpiqemi të bëjmë”, tha ai, duke paralajmëruar se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar këtë cështje.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Beogradi akuzon Kosovën për mospërmbushje të marrëveshjeve, ndërsa Prishtina akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, për shkak të qëndrimeve të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kryeministri Kurti shkroi në rrjetet sociale se gjatë takimit me zotin Lajçak ka nënvizuar nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje.
Welcomed EU Special Representative Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) at our govt offices today. I emphasized the need for the Basic Agreement to be implemented in its entirety, and the need for the EU to hold Serbia accountable for the persistent violations of that Agreement. pic.twitter.com/hUcwS2JA6t
— Albin Kurti (@albinkurti) May 11, 2023
“Dhe patjetër duam që të përqendrohemi tek normalizimi, prandaj duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim, kjo nuk është në interesin e askujt”, tha zoti Lajçak.
Partitë politike të serbëve në veriun e Kosovës, refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin në zonë më 23 prill duke kushtëzuar kthimin në institucionet vendase që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Bashkimi Evropian shprehu javën që shkoi shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës nëse Prishtina provon të zbatojë rezultatet e zgjedhjeve sipas të cilave kandidatët e partive politike shqiptare do të drejtojnë komunat në veri./VOA
Fraksion.com