Berisha për Ramën: Halabak, kalon nga sheshi në shesh me zorrën qorre në gojë
Pasditen e së mërkurës ish-kryeministri Sali Berisha është takuar me qytetarët e Lushnjes dh Divajkës, të cilëve ka kërkuar votën për koalicionin “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e së dielës.
Berisha tha gjatë fjalës së tij ka sulmuar kandidatët socialistë, për të cilët tha se kanë dalë nga “bodrumet e Edi Ramës”.
Ish-kryeministri nuk kurseu akuzat ndaj Edi Ramës, duke theksuar se ai ka shkatërruar fshatrat e Shqipërisë dhe ka taksuar bizneset në zonat rurale.
“Sot në Lushnje garojnë dy alternativa, njëra buron nga ju, kandidatët që keni zgjedhur kanë trokitur derë më derë e zemër më zemër, kanë ndërtuar një program kryekëput për qytetarët. Kandidatët i keni zgjedhur me vetitë më të arrira dhe ju garantoj se programi i tyre do ndryshojë Lushnjen e Shqipërinë. Në krahun tjetër janë kandidatët e bodrumit të Edi Ramës, për të cilët s’ka votuar asnjë qytetar i vetëm dhe që nga mëngjesi e deri në darkë i thurin lavde njeriut që kalon nga sheshi në shesh me zorrën qorre në gojë, një halabaku, njeriut që në vend të japë llogari para jush përpiqet të mbrohet me shprehje banale, me një fjalor që tregon qartësisht se për atë qenie ju nuk ekzistoni, me tallavanë e tij përpiqet të mbulojë vjedhjen e tmerrshme të këtyre viteve, të mbulojë sadopak dëbimin nga Shqipëria të 1/3 të lushnjarëve, braktisjen e plotë të fshatit shqiptar, dramën që ju krijoi bizneseve në Myzeqe e mbarë Shqipërinë. Asnjëherë fshatarët shqiptarë nuk kanë pasur një regjim më armik se ky, një regjim që i takson në mënyrë të njëanshme, një regjim që krijon monopolin e inputeve dhe bën që dengu i barit të kushtojë shumë më tepër se sa qumështi i prodhuar. Ka krijuar një rrjet mafioz në të cilën qeveritarët vjedhin qindra miliona kurse shqiptarët ikin si njerëz të pashpresë paçka se toka e tyre është një parajsë e vërtetë. Nga 1991-i ne nuk kemi patur zgjedhje kaq të rëndësishme, kaq jetike, jo për Sali Berishën, por për çdo qytetar, për çdo pa parti, për çdo të pakënaqur sepse me këtë regjim shkohet nga e keqja në zi. A nuk kërkoi ky më parë më jepni mua tepsinë, a nuk u vërsul për të vjedhë, a nuk përdori bordet për të rritur çmimet?! Ky ka vetëm një qëllim, pasurimin e tij dhe të klaneve të tij, ka vjedhur 122 mld lekë në 8 muaj. Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të ecësh para drejt greminës, të vraposh drejt varfërisë”,-tha Berisha./Opinion.al
Farksion.com