Begaj: Polonia mbështetje Shqipërisë për integrimin në BE
Presidenti Bajram Begaj i shprehu sot mirënjohjen Presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, për mbështetjen që ky vend i ka dhënë Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun polak, Andrzej Duda, Begaj theksoi se, gjatë takimit me homologun polak vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore të rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite.
“I shpreha mirënjohjen Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të Nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19”, tha Begaj.
Presidenti Begaj u shpreh se, “me homologun Duda u ndalëm tek bashkëpunimi ekonomik e tregtar, i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor është larg mundësive të dy vendeve”.
Në takim, vijoi Begaj, vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë.
Më tej, Begaj theksoi se, “si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Polonia, kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional”.
“Në takim vlerësuam gjithashtu bashkëpunim shumë të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës, si aspekt tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve dypalëshe”, shtoi Begaj.
Po ashtu, Begaj shprehu mirënjohjen për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe stabilitetin e rajonit në Ballkanin Perëndimor.
“Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara “, tha Begaj.
Fraksion.com