AktualitetPolitikëTë fundit

“Basha ka 7 vite që takohet me Ballën”, Meta: Marrëveshja me Berishën, historike

Historike e cilëson Ilir Meta koalicionin me Sali Berishën. Në emisionin “Opinion”, Meta tha se çdo bashkëpunim që ka patur në politik me Berishën ka dhënë rezultate pozitive.

Për të vërtetuar suksesin e bashkëpunimit me Berishën, Meta soll në vëmendje zgjedhjen e Lulzim Bashës kryetar bashkie në Tiranë, duke thënë se ishte e vështirë të bëjë dikë që flinte gjumë kryebashkiak.

Blendi Fevziu: Po të vini re në vitin 2007 ju keni pasur 3 bashki nga martesa me PS-në. Nga martesa me PD-në vetëm 2 bashki duke qenë në pushtet. Nga martesa e dytë me PS keni pasur 9 bashki në mos gaboj. Ndërkohë kësaj here nuk kandidoni fare. Pra në rastet e vetme kur ju keni pasur një rezultat më të mirë kanë qenë ato të bashkëpunimit me PS. Në 2005-n keni pasur 5 deputetë, në 2009 4 deputetë, në 2013-n 16 deputetë, në 2017-n 19 deputetë dhe në 2021-shin  kur ishit sërish me PD ratë në 4 deputetë.

Ilir Meta: Kush ishte me PD-në?

Blendi Fevziu: LSI-ja.

Ilir Meta: Po ç’lidhje kam unë me LSI-në në 2021.

Blendi Fevziu: Po jo mo nuk ka lidhje, po them që kjo parti se baza e partisë suaj dalë nga LSI ka treguar se bashkëpunimi me PD nuk ka qenë aq efikas sa bashkëpunimi brenda së majtës. Në këtë rast mendoni që do ngjisë kjo martesë, martesë pak e vështirë?

Ilir Meta: Së pari nuk është çështje martese, kjo është një marrëveshje historike. Marrëveshja Berisha-Meta po e quaj, apo demokratë me Partinë e Lirisë është historike. Pse është historike? Sepse synon rivendosjen e kushtetutshmërisë që është rrëzuar në këtë vend prej kohës përmes rivendosjes së pluralizmit politik dhe të llogaridhënies dhe ka dy shtylla. Shtylla e parë është kjo e 14 Majit dhe ky korrupsion absolut, ky monizëm absolut, katër vjet pa asnjë këshilltar opozita në gjithë Shqipërinë mbaron dhe përfundon dhe fillon transparencë absolute. Unë dua t’u them qytetarëve të Shqipërisë që do t’i qëndroj besnik asaj marrëveshje. Që nuk do të ketë mbledhje të këshillit bashkiak në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë, nga Tropoja në Sarandë, pa praninë e mediave dhe pa monitorimin e drejtpërdrejtë të qytetarëve.

Blendi Fevziu: Inshallah.

Ilir Meta: Jo inshallah. Kjo ka përfunduar, prandaj të gjithë të votojnë për transparencën absolute që do të administrohen dhe që duhet t’u kthehen në shërbime dhe jo të vidhen e grabiten.

Blendi Fevziu: Pse mendoni se do funksionojë marrëveshja me PD-në kësaj here zoti Meta?

Ilir Meta: Pa asnjë diskutim sepse ajo ka funksionuar edhe kur kemi qenë në koalicion me PD-në në vitin 2009 ne kemi bërë gjëra shumë të mira që nga liberalizimi i vizave, gjithçka. Pastaj mos harroni një sukses shumë të madh që kemi arritur me PD-në me një kandidat shumë të vështirë që zgjohej vonë. Mundëm Edi Ramën në 2011. Tani kemi një super kandidat.

Blendi Fevziu: Kandidati që zgjohej vonë sot ka dalë që është takuar me Taulant Ballën pak kohë më parë.

Ilir Meta: Ka pasur 7 vjet që të takoheshin bashkë ata, por tani kemi një super kandidat.

 

Fraksion.com