AktualitetPolitikë

“Na duhen drejtues të aftë”, Rama mesazh qytetarëve: Le të vazhdojmë të ecim përpara në të gjithë Shqipërinë…

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një video mesazh të gjithë qytetarëve në kuadër të zgjedhjeve vendore në 14 maj.

Rama shprehet në mesazhin e tij publikuar në rrjetet sociale, krahas kryebashkiakes në detyrë dhe kandidates së PS-së për Bashkinë Durrës se “Shqipëria po ecën përpara, bashkitë tona po ecin përpara. Duke ndërtuar një infrastrukturë modern dhe përmirësuar vijimësisht shërbimet”.

Ndërsa Sako thekson se “këtu në Durrës bashkë me Edi Ramën, po ndërtojmë portin e ri turistik, portin e ri tregtar, hekurudhën e re si dhe shëtitoren e shumëpritur të plazhit e plot të tjera”.

Ajo shprehet se “qyteti po pastrohet çdo ditë e më mirë. Puna jonë për të ardhmen e Durrësit po flet përditë e më qartë”.

Kryeministri Rama thekson se “për ta bërë Durrësin dhe Shqipërinë që duam, ne na duhen drejtues të aftë njerëz të përkushtuar si Emiriana Sako, ndërkohë që dy hije të së kaluarës me maskat e tyre në çdo bashki kërkojnë të na kthejnë mbrapa”.

“Le të vazhdojmë të ecim përpara në çdo qytet dhe në të gjithë Shqipërinë. Kurrë më mbrapa”, përfundon Rama mesazhin drejtuar qytetarëve.

 

Fraksion.com