AktualitetKosovaTë fundit

Gërvalla: Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, nuk ka nevojë për një të dytë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë, Donika Gërvalla ka pritur në takim zyrtar ministrin e Jashtëm të Koracisë, Gordan Grliq Radman.

Në konferencë të përbashkët pas pritjes së ministrit Radman, ministrja Gërvalla falënderoi Kroacinë për përkrahjen “duke vënë në pah sidomos nevojën e njohjes së Republikës së Kosovës në çdo forum ndërkombëtar”.

Gërvalla tha se me ministrin Radman janë pajtuar se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën është një proces i cili padrejtësisht ka zgjatur shumë, por që më në fund nga 1 janari 2024 qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin në zonën Schengen pa viza.

Duke folur rreth idesë së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo përmendi tre kushte të cilat duhet të plotësohen.

“Asnjë lloj formacioni, asnjë lloj asociacioni, asnjë lloj mekanizmi, nuk mund të implementohet në Kosovë nëse e shkel së pari sovranitetin e vendit, së dyti Kushtetutën e vendit dhe së treti funksionalitetin, funksionimin e Kosovës. Sepse, këto tre elemente janë bazë për funksionimin e një shteti. Çfarë kemi parë në Bosnjë e Hercegovinë përmes Republikës Serbe të instaluar atje: një bllokim të tërësishëm të funksionimit të shtetit nuk ka për të ndodhur në Republikën e Kosovës. Ky rajon mjaft e ka një Republikë Serbe, nuk ka nevojë për një të dytë edhe një që e ka është tepër”, theksoi Gërvalla.

Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grliq Radman tha se është pajtuar me ministren Gërvalla se përparimi në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm për marrëdhëniet e mira fqinjësore.

Radman deklaroi të martën se Kroacia e mbështet çdo marrëveshje mes palëve që çon në dakordimin e raporteve, derisa shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i madh.

“Duke diskutuar për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, u pajtuam se progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe presim zhvillime të caktuara nga kjo anë. Në çdo rast, Kosova duhet të mbetet një vend stabil, i pavarur dhe sovran”, tha Radman duke theksuar se vizita e tij në Kosovës është për qëllim të forcimit të marrëdhëniet bilaterale.

Ai theksoi se në takim me ministren kosovare është përmendur edhe komuniteti kroat prej rreth 150 njerëzve që jeton në Janjevë “të cilët duhet t’i ndihmojmë”.

Gjatë ditës Radman do të pritet në takim edhe nga kryeministri Albin Kurti, do të zhvillojë vizitë në Janjevë si dhe do t’i vizitojë pjesëtarët e kontingjentit kroat në kuadër të KFOR-it në Kosovë./AA

 

Fraksion.com