AktualitetBota+Të fundit

DW feston 70 vjetorin

Deutsche Welle filloi transmetimet 70 vjet më parë. Sot presioni mbi raportimin e saj të lirë po rritet në shumë vende. Në një ceremoni festive në Bundestag sot (10.05) kujtohet themelimi e historia e zhvillimit të DW.

“Vula e kuqe e daljes në pasaportën time hap rrugën,” raportoi Yuri Rescheto në fillim të marsit 2022. “Ai doli nga Federata Ruse dhe u fut në territorin e Bashkimit Evropian. U lejova të largohem nga territori i Rusisë pak para mesnatës.”

Katërmbëdhjetë muaj më parë, në një natë të ftohtë dimri, Rescheto, drejtuesi i studios së Deutsche Welle-s në Moskë, kaloi kufirin midis qytetit rus Ivangorod dhe qytetit estonez Narva në një urë të gjatë. Si i fundit nga punonjësit e DW në Rusi. Ai u largua nga një vend i cili ndaloi punën e DW, sepse DW u shpall “agjent i huaj” nga Kremlini.

“Presioni është i madh”

Deutsche Welle këto ditë mbushi 70 vjet. Ndërsa shembulli i kolegëve që punojnë në Rusi tregon se mediat janë nën presion në mbarë botën, duke përfshirë edhe kolegët e DW. “Presioni mbi lirinë e shtypit është i madh dhe kjo është arsyeja pse detyra jonë është ende jashtëzakonisht e rëndësishme”, thotë drejtori i DW, Peter Limbourg.

Departamenti i “Sigurisë së Udhëtimit dhe Emergjencave” të DW ka regjistruar së fundmi më shumë kërkesa se kurrë më parë. Ndonjëherë mund të bëhet fjalë edhe për probleme gjatë një demonstrate të ekstremistëve të krahut të djathtë në Gjermani. Por mbi të gjitha është shqetësimi për punonjësit në pjesë të tjera të botës – në Rusi dhe Afganistan, në vendet e Afrikës dhe Amerikës Latine. Sipas kolegëve të “Emergjencës”, ndonjëherë ka arrestime dhe biseda informative, e ndonjëherë edhe sulme misterioze. Këmbanat e alarmit bien gjithmonë.

Për shumicën e këtyre rasteve nuk dihet fare në Gjermani. Në fillim të shkurtit, Jaafar Abdul Karim, redaktori më i njohur i programit arab të DW, si dhe ekipi i tij, u desh të anulonin një produksion të planifikuar në Bagdad, pas kërcënimeve. Ata u detyruan të largohen shpejt nga Iraku. Sipas Abdul Karimit, ata ishin nën presion në rritje nga zyrtarë të lartë irakianë.

Kjo është pjesë e botës mediatike të DW në vitin 2023. Ndëra DW me transmetime filloi 70 vjet më parë me fjalë mbështetëse të shtetit. “Të dashura dhe të dashur dëgjues në vendet e largëta…”Deutsche Welle filloi transmetimet më 3 maj 1953 me një fjalim përshëndetës të Presidentit Theodor Heuss. Në fillim të programit u tha se synimi ishte për “t’i dhënë dëgjuesve jashtë një pamje politike, ekonomike dhe kulturore të Gjermanisë”.

Si transmetues me valë të shkurtra, DW nisi punën në Këln dhe arriti audiencën në shumë pjesë të botës, fillimisht vetëm në gjermanisht. Gjuhët e para të huaja u shtuan që në vitin 1954. Televizioni filloi transmetimet në vitin 1992, i ndjekur menjëherë më pas nga ofertat online.

Ditët e transmetimeve me valë të shkurtra kanë ikur. “Ne jemi pjesë e digjitalizimit, kemi hartuar një strategji të qartë. Ne jemi bërë një kompani mediatike ndërkombëtare me fokus të qartë te përdoruesit,” thotë drejtori i përgjithshëm Peter Limbourg. DW mbështetet sot gjithnjë e më shumë tek interneti, mediat sociale dhe rrjetet e partnerëve. Limbourg është drejtor i DW për nëntë vjet e gjysmë dhe gjatë kësaj periudhe ka forcuar rëndësinë ndërkombëtare të këtij transmetuesi.

Nga dëgjuesit tek ndjekësit

Pas termit “transmetues” fshihet një gamë e gjerë prodhimesh dhe ofertash: programe televizive, oferta të ndryshme audio si dhe lajme online në 32 gjuhë, po edhe aktivitete të ndryshme në mediat sociale. Telefonat celularë po bëhen gjithnjë e më të rëndësishëm si pajisje e njerëzve. Dëgjuesit e dikurshëm tani janë kryesisht ndjekës të DW.

Ajo që pak njerëz në Gjermani e dinë: Akademia e DW është organizata kryesore e Gjermanisë për zhvillimin e medias ndërkombëtare. Ajo ka trajnuar me mijëra profesionistë të gazetarisë që nga viti 1965. Edhe politikanët gjermanë takojnë herë pas here njerëz jashtë vendit, të cilët flasin për mënyrën se si janë trajnuar dhe formuar nga Deutsche Welle.

Në 70-vjetorin e DW, disa gjëra janë të ngjashme me situatën e vështirë politike globale nga koha e fillimit të trasnmetimit. Përsëri flitet për një Luftë të Ftohtë, liria e shprehjes dhe liria e shtypit është e rrezikuar në mbarë botën.

“Gazetaria ndërkombëtare përballet me një sfidë të madhe, që të jetë e arritshme nga njerëzit në mbarë botën, sepse autokratët në mbarë botën po përpiqen të na bllokojnë, ndonjëherë edhe të na censurojnë. Mendoj se kjo është diçka që kërcënon gazetarinë ndërkombëtare”, thotë drejtori Limbourg. “Këtu ne të gjithë, që besojmë në vlerat demokratike dhe që duhet të mbrojmë pluralitetin në botë, duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të mund të vazhdojmë të jemi të pranishëm tek përdoruesit tanë, njerëzit që kanë nevojë për ne.” Kjo është “sfida kryesore me të cilën duhet të përballemi”.

Kundër racizmit, antisemitizmit dhe diskriminimit

Në fund të vitit 2021, DW u akuzua për antisemitizëm. Bëhej fjalë për deklarata në llogaritë e mediave sociale nga punonjës individualë të redaksisë arabe dhe për rreshtimin e stacioneve partnere. U diskutuan gabimet editoriale në raportimin për Izraelin në programin aktual.

Sipas drejtorit Limbourg, DW reagoi me vendosmëri dhe “menjëherë ndaj akuzave, akuzat janë kontrolluar detajisht edhe nga jashtë”. Jemi ndarë nga disa njerëz. “Sepse në DW nuk ka vend për ide të tilla. Por hetimi i pavarur nga jashtë konfirmoi se nuk ka vend për kritika në ofertat editoriale të DW në këtë drejtim.” Drejtori i referohet edhe një sërë formatesh të detyrueshme të trajnimit brenda DW. Ai i referohet edhe dialogut “me të cilin edhe një herë po sensibilizojmë të gjithë punonjësit e DW për këtë temë dhe po përcjellim vlerat që ne mbështesim së bashku”. DW dëshiron të dërgojë një sinjal të qartë kundër racizmit, kundër antisemitizmit dhe kundër diskriminimit.

“Punonjësit janë çelësi i suksesit të Deutsche Welle-s”, thuhet në parimet e DW. Rreth 3.700 punonjës nga më shumë se 60 kombësi të ndryshme janë aktualisht të punësuar në dy lokacionet e DW – në Bon dhe Berlin. Kjo do të thotë se DW është më multikulturore se çdo institucion tjetër në Gjermani. Numri i korrespondentëve në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine është rritur vitet e fundit.

“Na dëgjojnë, shohin e lexojnë”

Pas nëntë vitesh në këtë post, drejtori Limbourg thekson: “Ne kemi arritur të rrisim buxhetin në mënyrë të konsiderueshme”. Aktualisht ekziston rreziku i humbjes së shumë vendeve të punës në të dyja vendet e transmetimit. Kur presioni mbi demokracinë dhe lirinë e medias rritet globalisht, rriten edhe sfidat dhe kostot.

Që nga fillimi i agresionit rus, një numër punonjësish ka qenë tërë kohën në Ukrainë për të raportuar. Shumë shpesh edhe në lindje të vendit ku po zhvillohen luftime intensive. Edhe Yuri Rescheto, i cili drejtoi studion e DW në Moskë deri në mars 2022. Ai tani drejton studion e DW në kryeqytetin e Letonisë Riga, që është hapur në fund të vitit 2022.

“Ne jemi këtu, nuk kemi vdekur dhe nuk kemi heshtur, nuk kemi humbur fuqinë,” thotë ai. Në Riga ekipi i gazetarëve të DW mund të punojë lirshëm. “Këtu mund të themi atë që duam të themi”. Ai e di që “na dëgjojnë, na shohin dhe na lexojnë”./DW

 

Fraksion.com