AktualitetPolitikëTë fundit

Bardh Spahia i sigurt: Kushdo që vë bast për Shkodrën do ta humbasë si çdo herë tjetër

Kryebashkiaku aktual i bashkisë Shkodër Bardh Spahia, është i bindur se rezultati i zgjedhjeve të 14 majit do të jetë pozitiv për të.

Ai tha me siguri të plotë mbrëmjen e sotme në “Top Story” se çdo bast i vënë për Shkodrën do të jetë i humbur nëse pala tjetër mendohet fituese.

Spahia u shpreh se kushdo që mendon se duke impenjuar e kërcënuar administratën e shtetit, duke kërcënuar biznesin, duke përfshirë gupet kriminale e paratë e pista do të fitojë në fund, e ka gabim.

Pozita në të cilën ndodhet, sipas Spahisë nuk është e lehtë pasi është e vetmja bashki demokratike me pushtet në vend, pasi kundërshtari nuk kursen asnjë gjë siç shprehet ai.

“Unë e shoh veten shumë herë më të fortë se në 6 mars. Fokusin tim e kam plotësisht tek kontakti dhe raporti im me qytetarët shkodranë, jo vetëm me demokratët, janë pjesa kryesore por unë interesohem të tërheq vëmendjen e të gjithë qytetarëve të ndershëm, atyre pa parti dhe atyre të zhgënjyer nga Partia Socialiste. Unë mendoj se forca e vërtetë qëndron tek kontakti dhe dëshira për të përfaqësuar dhe mbrojtur më së miri interesin qytetar, të tjerat janë lojëra politike. Më intereson mbështetja e bashkë qytetarëve të mi. Është vënë bast si shpeshherë për Shkodrën por jam krejt i bindur që do ta humbi kushdo që mendon se do të fitojë basti përmes mashtrimeve elektorale, ofertave 3d, vizatimeve pa një bazë konkrete pa një ofertë konkrete ekonomike e politike për Shkodrën. Do ta humbë kushdo që mendon se duke impenjuar e kërcënuar administratën e shtetit, duke kërcënuar biznesin, duke përfshirë gupet kriminale e paratë e pista, të jeni të sigurt që do ta humbin atë bast.“- tha Bardh Spahia.

Duma: Sa e vështirë është sot të jesh në këpucët e tua? Je i vetmi me pushtet në PD.

“Nuk është e thjeshtë aspak, kryesorja është vështirësia që kemi me luftën me kundërshtarin që nuk kursen asgjë për të marrë politikisht një prej simboleve të opozitarizmit shqiptar që është Shkodra”- tha Spahia.

 

Fraksion.com