A na lejohet të përgjojmë?
Shumë njerëz në Gjermani nuk kanë dëgjuar kurrë për një shërbim të quajtur Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës (UK-Rat – Unabhängige Kontrollrat). Nuk është çudi, sepse ky shërbim është themelur vetëm rreth një vit më parë, ndonëse fuqitë e tij janë mjaft të mëdha – dhe sekrete.
Ndërsa praktika e mbikëqyrjes sistematike të komunikimeve elektronike është mjaft e përhapur në mesin e aleatëve të Gjermanisë në Perëndim – dhe më pas ka një interes të veçantë për komunikimin e personave të dyshimtë, e ndoshta edhe shërbimeve të huaja, duket se Gjermania po shkon vazhdimisht në drejtimin tjetër.
Në maj të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë vendosi që shërbimi sekret gjerman BND nuk mund të përgjojë dhe monitorojë komunikimet elektronike të një personi “pa arsye të justifikueshme”. Por është e rëndësishme të theksohet se këtu nuk bëhet fjalë për një hetim “të zakonshëm” policor, në rastin e një vepre penale të mundshme. Në këso rastesh është gjithçka e qartë dhe në atë rast leja jepet nga gjykata kompetente. Po kush mund të vendosë në rastet e këtilla të “spiunëve” të mundshëm, nëse një veprim përgjimi është i “justifikueshëm” apo jo?
Kjo është pikërisht arsyeja pse qeveria gjermane vendosi të krijojë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, i cili, ngjashëm me një gjykatë, do të vendoste për një kërkesë të veçantë në rastet kur nëpunësit gjermanë të shërbimeve të inteligjencës nuk mund të shkojnë thjesht në gjykatë, në rastet kur ndjekin ndonjë person që dyshohet se punon për ndonjë shërbim apo shtet tjetër.
Lejet e shumta
Këshilli filloi punën e tij në janar të vitit të kaluar dhe tani po përgatitet të zhvendoset në ish-ndërtesën e Ministrisë së Brendshme në Berlin. Por pas një viti, Këshilli për herë të parë hartoi edhe një raport për punën e Komisionit Mbikëqyrës Parlamentar të Bundestagut. Gazetarët e WDR mësuan për detajet më të rëndësishme nga ato gjashtëdhjetë faqe të raportit.
Ajo që i habiti ishte se praktikisht lejohej çdo lloj përgjimi, prej leximit të komunikimeve elektronike e deri tek futja në celularët e personave të dyshimtë. Por duket se një kërkesë shkaktoi probleme: kur nëpunësit gjermanë të inteligjencës donin të shikonin më afër komunikimet e një kompanie që dyshohej se kishte lidhje me spiunazhin. Këshilli në këtë rast rekomandoi me dashamirësi se, sipas ligjeve gjermane, kjo nuk ishte e mundur – lejohen të mbikqyren persona të caktuar, por jo e gjithë kompania. Prandaj ligji duhet të ndryshohet…
Shpjegimet e domosdoshme
Pa dyshim, nëpunësit e inteligjencës dhe aleatët gjermanë ndoshta do të qeshin kur të dëgjojnë se sa kërkesa bëri BND për të përgjuar dikë: 121 për gjithë vitin e kaluar në Gjermani. Por aleatët mbase nuk do të jenë të kënaqur kur të shohin se BND raportoi edhe për aktivitete me të ashtuquajturit “përzgjedhës” – pra me kanale të zgjedhura komunikimi që përdorin aleatët, si për shembull, NSA amerikane ose GCHQ britanike.
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në radhët e BND-së, ka pasur jo pak paqartësi, sepse nuk dihej qartë se si të punohej në rastet e tilla. Gjithsesi, ky raport vlerëson shprehimisht “miqësinë” dhe “bashkëpunimin” e BND me këtë Këshill. Por gazetarët gjermanë zbulojnë se këtu ka më shumë probleme se sa flitet dhe se ka ankesa për gjendjen e tanishme./DW
Fraksion.com