AktualitetBota+Të fundit

Putin: Një “luftë e vërtetë” është nisur kundër Rusisë

Presidenti Vladimir Putin u tha rusëve të martën se bota është në një udhëkryq thelbësor dhe se rusët janë të angazhuar në një luftë patriotike për të ardhmen e vendit të tyre, ndërsa Rusia shënon përvjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore.

“Sot, qytetërimi është përsëri në një udhëkryq vendimtar. Një luftë e vërtetë është nisur kundër atdheut tonë. Ne kemi zmbrapsur terrorizmin ndërkombëtar, ne do të mbrojmë banorët e Donbasit, ne do të vendosim sigurinë tonë”, tha presidenti Putin në një manifestim në Moskë.

Në një fjalim 10 minutësh në Sheshin e Kuq, presidenti Putin përsëriti mesazhet e njohura që ai ka dhënë shumë herë në gati 15 muajt e luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ai tha se “elitat globaliste perëndimore” po mbjellin rusofobinë dhe nacionalizmin agresiv, ndërsa populli ukrainas është bërë “peng i një grushti të shtetit ” dhe ambicieve të Perëndimit.

Ai nuk foli për sfidat me të cilat përballet Rusia ndërsa forcat e saj përgatiten për një kundërofensivë të madhe të pritshme nga Ukraina dhe as nuk përshkroi ndonjë rrugë drejt fitores.

Fjalimi, i pasuar nga një parakalim i madh ushtarak nëpër Sheshin e Kuq, u mbajt pas një vale sulmesh brenda Rusisë këtë muaj, përfshirë një sulm të pretenduar me dron në vetë kështjellën e Kremlinit më pak se një javë më parë.

Rrëfimi zyrtar i Kremlinit për luftën paraqet një pamje të një konflikti ekzistencial me Perëndimin, i cili sipas pikëpamjes së Moskës thjesht po përdor Ukrainën si një mjet për të shkatërruar Rusinë, për të rishkruar historinë e saj dhe për të shtypur vlerat e saj tradicionale. Ky version i zhvillimeve ka dominuar mbulimin e luftës në mediat shtetërore ruse.

Në fjalimin e tij, Putin këmbënguli se “ambiciet e pazbutura, arroganca dhe mosndëshkimi” i Perëndimit janë fajtorë për konfliktin.

Rusia lëshoi një breshëri raketash mbi Ukrainën gjatë natës, disa orë para fillimit të parakalimit në Moskë i cili këtë vit po zhvillohet mes masave të rrepta të sigurisë.

Zyrtarët ukrainas thanë se forcat e Kremlinit lëshuan 25 raketa gjatë natës në një valë sulmesh gjithandej Ukrainës, duke shtuar se mbrojtja ajrore shkatërroi me sukses 23 prej tyre.

Të paktën 21 qytete ruse anuluan parakalimet ushtarake të 9 majit.

Manifestimit në Moskë iu bashkuan udhëheqës të vendeve ish sovjetike, Bjellorusisë, Kirgizisë, Armenisë, Kazakistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit./voa

 

Fraksion.com