Hohmann: Në 11 muaj, progres me negociatat Shqipëri-BE
Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Tiranë, Christiane Hohmann vlerësoi sot progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Në një aktivitet të organizuar me rastin e Ditës së Evropës në Qendrën e Vizitorëve të Parkut Kombëtar të Dajtit, Hohmann u shpreh se, Shqipëria është Evropë.
“Para një viti nuk kishim çelur negociatat, ndërkohë që vjet në korrik mbajtëm Konferencën e parë Ndërqeveritare. Shikoni sa shumë gjëra janë bërë dhe kjo duhet të jetë ditë për të cilën shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë. Kemi ecur shumë në këto 10-11 muaj dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha ajo.
Ambasadorja nënvizoi se, “është e vërtetë se ka ende shumë punë për t’u bërë që Shqipëria të bëhet shtet anëtar me të drejta të plota në BE”, por ajo theksoi se, “Shqipëria është Evropë”.
“Ju jeni Evropë. Nuk mund ta theksoj më shumë se kaq këtë gjë”, tha ajo.
Në Ditën e Evropës, Hohmann tha se, duhet të festohet me të gjithë dhe duhet të festohet për ato gjëra që janë arritur.
“Duhet të festojmë me rininë e Shqipërisë. Ndaj ky vit evropian i aftësive është kaq i rëndësishëm, sepse me aftësitë e duhura do të jetë më e lehtë për ju të ecni përpara”, tha ajo.
Fraksion.com