“Burrat shqiptarë duhet të heqin dorë”, Rudina Xhunga për masakrën në Itali: Gratë nuk janë pronë e juaja!
Gazetarja Rudina Xhunga ka reaguar në lidhje me rastin makabër ku një shtetas shqiptar vrau komshiun italian dhe vajzën e tij 16-vjeçare, si dhe plagosi bashkëshorten e tij, pas dyshimit se kjo e fundit kishte marrëdhënie seksuale me komshiun.
Ajo ka deklaruar se kjo është një sjellje jo normale dhe se në një situatë të tillë mund të ishte i justifikuar çdo mënyrë reagimi që nga ndarja e deri tek dëbimi i gruas nga familja, por kurrsesi sjellje kaq kriminale sa vrasja dhe plagosja.
Xhunga shtoi se burrat shqiptarë duhet të heqin dorë nga trajtimi i gruas si pronë.
Ajo u shpreh se shqiptarët duhet të mësojnë të sillen si qytetarë të shoqërive ku kanë zgjedhur të krijojnë jetën, megjithëse shtoi se kurrsesi nuk përkrah normalizimin e tradhtisë.
“Këta burrat shqiptarë çfarë kanë parasysh me tradhtinë?
Kush po të tradhton, lopa jote, delja jote, viçi yt? Nuk është e jotja, nuk janë të tuat. Je martuar, nuk funksionoi nuk bëni seks, ajo do dojë dikë tjetër, do ndaheni, edhe mund të mos ndaheni. Por janë gjëra që janë normale në atë shoqëri ku ke vajtur. Sepse këtu mbase është më ndryshe, por në atë shoqërinë ku pretendon të shkosh, duhet të sillesh si ta.
Nuk po them të quash normalitet që gruaja po shkon me komshiun dhe të bësh sikur nuk kupton. Mund të ndahesh, të zihesh, të bërtasësh, të ikësh nga shtëpia, mund edhe të nxjerrësh gruan nga shtëpia e më pas të vendosë gjykata se kujt i takon ajo.
Por të vrasësh gruan tënde sepse mendon se ajo bën seks me komshiun dhe pastaj të vrasësh komshiun, të vrasësh fëmijën tënd…”, tha ajo.
Fraksion.com