AktualitetPolitikëTë fundit

“Historitë me iranianë t’i provojë në gjykatë”, Veliaj flet pas daljes nga GJKKO: Më 19 maj Berisha do shoqërohet me detyrim në seancë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se më 19 maj ish kryeministri Sali Berisha do të shoqërohet nga policia për paraqitje të detyrueshme në GJKKKO.

Veliaj ka folur për mediat pas seancës në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Veliaj tha se Berisha duhet të provojë në gjykatë historitë me iranianë.

“Sot isha unë nismëtar i një akuze ndaj Sali Berishës, që ka mbi 30 vjet që shan dhe mallkon këdo, por çdo gjë ka një limit. Ekziston një shprehje që thotë: Hapi rrugë budallait dhe të ligut. Por unë nuk e besoj këtë shprehje. Unë besoj se në një vend demokratik, as budallait dhe as të ligut nuk i duhet hapur rrugë. Këto historitë me iranianë, Sali Berisha duhet t’i provojë në gjykatë dhe këto historitë me gardat revolucionuare, me fotografi fiktive, me shpifje dhe akuza të paqena, Sali Berisha duhet t’i provojë në gjykatë. Ka kaq kohë që më fton në debat, sot ishte momenti për të ardhur si burrë. Sali Berisha nuk është burrë! Në këtë e dimë të gjithë. Është frikacaku më i madh i këtij vendi. Eshte 80 vjeç dhe njerëzit më thonë lërë se ka roitur. Por nuk besoj se ai është njeri i roitur. Sali Berisha është njeri i lig. Sali Berisha ka mbjellë urrejtje dhe përçarje dhe shpifje dhe ka promovuar kulturën që ti hidh baltë, mjafton që ta njollosësh dikë pa pikë përgjegjësie”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se Gjykata ka vendosur që Sali Berisha të sillet me forcë në Gjykatë në 19 maj.
“Sot gjykata vendosi që në datën 19 Maj në orën 10:00, Sali Berisha do të shoqërohet nga policia për paraqitje të detyrueshme në gjykatë. Do të rikthehem prapë në datë 19 Maj dhe policisë do i shkojë njoftimi që të sjellë Sali Berishën, si të gjithë qytetarët e tjerë që duhet të shkojë në gjykatë dhe të provojë akuzat. Që të akuzosh gjithë dynjanë dhe të mos paraqitesh në gjykatë, të thuash shpifjet nga më monstruoze, t’i futesh njerëzve te vrima e çelësit, poshtë fustanit, në krevat, të merresh me gjithë familjet e gjithë dynjasë dhe të mos kesh kurajon civile të vijë në gjykatë. Policia, sipas vendimit të gjyqtarit, duhet të bëjë detyrën dhe të sjellë forcërisht Sali Berishën, që të përballet me akuzat dhe shpifjet që janë të padenja, jo për një plak 80-vjeçar, por për këdo që jeton dhe angazhohet publikisht dhe që e ka përdorur prezencën e vet publike si një qysqi dhe një kokëdash vetëm për të shkatërruar normat dhe vlerat në këtë shoqëri”, theksoi Veliaj.

 

 

Kryebashkiaku, njëherësh kandidat i PS-së për kryetar bashkie në Tiranë, Erion Veliaj ka paditur për shpifje ish-kryeministrin Sali Berisha.

 

Fraksion.com