AktualitetEkonomiTë fundit

“Diferencë dramatike”: Sa kushton ushqimi në Shqipëri dhe vendet e tjera të botës?

Të blesh ushqim në Shqipëri është pjesa më e rëndësishme e jetesës e njëkohësisht zë volumin më të lartë të shpenzimit të të ardhurave mujore.

Është fakt se në vendin tonë, ushqimet dhe artikujt e tjerë të konsumit të zakonshëm janë të shtrenjta, më shtrenjt se kudo në Evropë, SHBA e gjetiu, duke u krahasuar me disa vende që kanë nivel shumë të lartë të ardhurash si Zvicra.

Nga ana tjetër, cilësia e produkteve ushqimore dhe artikujve të tjerë të jetesës së përditshme është ndjeshëm inferiore, me prodhime kryesisht nga lindja dhe rajoni, e për më tepër me prodhime vendase që janë larg standardeve evropiane, jashtë kontrollit të përhershëm të autoriteteve dhe me siguri më të ulët për shëndetin e konsumatorëve.

Agjencia “Numbeo”, e cila merr në analizë kostot e jetesës në më shumë se 500 qytete, referon se të jetosh në Tiranë kushton më shtrenjtë se në Prishtinë, Shkup apo Sarajevë. Sipas kësaj agjencie, kosto e jetesës së një banori të Tiranës arriti në 52,580 lekë.

Ndërsa Banka e Shqipërisë më 2022, duke iu referuar vrojtimit të bërë në 2018-2019, sugjeronte se një familje shqiptare shpenzon në muaj, mesatarisht 28.293 lekë vetëm për ushqime. Ndërkohë, të ardhurat mesatare totale të një familje shqiptare, në muaj, llogariteshin në 80,166 lekë, çka do të thotë se 35.3% e shpenzimeve, shkojnë vetëm për ushqim.

Por, kjo normë ka luhatje mjaft të madhe në varësi të nivelit të të ardhurave të familjes. Kështu, familjet me të ardhurat më të ulta, prej vetëm 19,650 lekësh në muaj, shpenzojnë për ushqim 16,390 lekë në muaj, ose 83.4% të të ardhurave të tyre në dispozicion.

Familjet me të ardhura prej 39,685 lekësh në muaj shpenzojnë rreth 22 mijë lekë për ushqime, ose 56.5% të totalit, ato me të ardhura neto mesatare në 89 mijë lekë në muaj shpenzojnë për ushqim 33 mijë lekë, ose 37.4% të totalit, dhe ato me të ardhura në 188 mijë lekë në muaj, shpenzojnë për ushqim rreth 37 mijë lekë në muaj, ose vetëm 20% të totalit të të ardhurave të tyre neto mujore.

Sipas Eurostat, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën dy herë më shumë se inflacioni në fillim të 2023.

Noa.al ju sjell më poshtë një pasqyrë të kostos mujore për ushqim të një individi në vende të ndryshme të botës.

Në Evropë

Ndonëse njihet si qytet i shtrenjtë, Londra është ndër qytetet me më pak kosto mujore për ushqim.

Mjaftojnë çdo muaj më pak se 300 dollarë (295) për të jetuar normalisht. Autoritetet thonë se konkurrenca është e lartë dhe rrjetet e marketeve si Lidl dhe Aldi ua kanë pamundësuar marketeve të tjera të aplikojnë çmime të shtrenjta.

Në Stokholm, Suedi, duhen 388 dollarë për të kaluar një muaj. Megjithatë paga mesatare është rreth 50 mijë krona ose mbi 6 mijë dollarë në muaj.

Në Beograd, Serbi, mjaftojnë vetëm 15 mijë dinarë apo 150 dollarë (15 mijë lekë) për të shtyrë një muaj për person.

Në Zyrih, Zvicër, duhen 666 franga ose 739 dollarë për të kaluar një muaj. Ky është dhe qyteti më i shtrenjtë në botë pasi dhe supermarketet janë të shtrenjta.

Në Lisbonë, Portugali nevojiten 230 dollarë për një person në muaj.

Në Kiev, Ukrainë, mjaftojnë 145 dollarë për ushqim në muaj.

Në SHBA

Tre qytetet më të populluara të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë Nju Jorku, Los Anxheles dhe Çikago.

Në Nju Jork duhet të shpenzosh mesatarisht 486 dollarë në muaj për ushqim.

Ndërsa në Çikago, muajin e shtyn qetësisht duke shpenzuar maksimumi 325 dollarë ose 32 500 lekë.

Në Hawai kosto mujore shkon 550 dollarë. Kjo sepse ushqimet mbi 90 për qind importohen nga ky ishull.

Në vende të tjera të botës

Në Toronto, Kanada mjaftojnë 325 dollarë amerikanë për të kaluar një muaj, ose 9 për qind e të ardhurave mujore. Toronto është një nga vetëm tetë vendet në botë që shpenzojnë më pak se 10%. Ky qytet, më i madhi në Kanada ka të ardhura mujore mesatarisht 7 509 dollarë amerikanë ose 100,000 dollarë kanadezë në vit.

Guatemala City është kryeqyteti më i madh në Amerikën Qendrore. Ai ka një reputacion për ushqimin e shijshëm dhe të përballueshëm jo vetëm në markete por edhe në lokale.

E megjithatë mjaftojnë 1,717,10 kuetzalë, ose 222 dollarë për të shtyrë muajin.

Në Hanoi, Vietnam duhen jo më shumë se 200 dollarë për të ushqyer një person të rritur në muaj. Kuzhina vietnameze është një përzierje e gatimit francez dhe kinez me përbërës lokalë.

Në Bangkok, Tajlandë, nevojiten 248 dollarë për të kaluar një muaj pa vështirësi. Madje kjo sasi vlen edhe mëse ha jashtë pasi ka mbi 110 mijë pika nëpër rrugë që tregtojnë turlilloj ushqimesh.

Në Singapor, ndonëse njihet si vend i shtrenjtë, mjaftojnë 190 dollarë në muaj nëse ha në shtëpi dhe 340 dollarë nëse ha edhe jashtë. Atje, shumica e produkteve importohen. /noa.al

 

Fraksion.com