AktualitetLife StyleTë fundit

Dëshmitë e panjohura Pandi Kristos: I pari grup komunist i Korçës, nuk është ai i Miha Lakos, para tij u formua një tjetër grup me kryetar…

Për herë të parë, kemi mundur të sigurojmë rrëfimin e dëshmitarit të shumë ngjarjeve historike. Bashkëbisedimi me Pandi Kriston, personalitet i lartë i Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe shtetit shqiptar, u zhvillua në Tiranë, në shtëpinë e dhëndrrit të tij, Robert Vullkani, ku ishte i detyruar të banonte, kur u lirua nga internimi, pasi shteti demokratik shqiptar, nuk i dha kurrë shtëpi. Regjimi, për të cilin luftoi, e vuri në shënjestër, për ta likuiduar Pandi Kriston, duke e radhitur atë në grupin e Koçi Xoxes, dënuar për “veprimtari armiqësore”.

Për 42 vjet me radhë, do të endej burgjeve të diktaturës komuniste dhe internimeve të njëpasnjëshme, deri kur u rrëzua përgjithmonë komunizmi, në fillimin e viteve ´90-të. Intervista është realizuar në vitet 1992 – 1993 dhe me kalimin e viteve, është plotësuar, sipas kujtimeve dhe arkivit familjar të vajzës së Pandit, Asamble Kristo (Vullkani), motrës, veterane e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhëndrit të tij, Robert Vullkani dhe kujtimeve të bashkëkohësve të shumtë. Ja rrëfimi i Pandi Kristos.

Zoti Kristo, mund të kujtoni ato që kanë ndodhur me ju gjatë këtyre 54 vjetëve?

Po, sigurisht. Duke qëndruar larg të gjitha deklarimeve boshe, do të doja të bashkëbisedoja me lexuesit, nëse do të kishte interes. Unë, kam mbi gjysmë shekulli, që nuk kam pasur mundësinë të komunikoj me bashkëkohësit e mi dhe brezin më të ri, për atë që ka ndodhur, gjatë këtyre viteve. Gjithsesi, kur nuk ke folur kaq gjatë, ndjen se ke jo vetëm dëshirë për të folur, por do të flasësh pikërisht, atë ç´është më thelbësorja. Në këtë moshë, dëshiroj të bisedoj jo për politikë, por për atë që është më thelbësore, për historinë e jetës sime dhe të shumë personaliteteve të këtij vendi, të dhembshme sigurisht, sepse unë dhe brezi im, por edhe të tjerët para nesh, nuk kanë bërë pak, për të gëzuar atë që mundëm të krijojmë.
Rruga ishte e gjatë, e mundimshme, e mbushur plot me suksese e gabime, që do të mundohem me sinqeritet t’ua rifreskoj bashkëmoshatarëve të mi dhe t’ua tregoj, ashtu siç kanë ndodhur, jo ashtu siç janë shtrembëruar të vërtetat, gjë e cila ka ndodhur jo rrallë. Unë, kam lindur në qytetin e Korçës, në kohën e vështirë të Luftës së Parë Botërore, atëherë, kur luheshin fatet e ekzistencës kombëtare. Ato vite ishin të mbushura plot anarki dhe Shqipëria ishte e pushtuar nga austro-hungarezët e serbët në veri, nga italianët në jug, nga francezët dhe grekët në krahinat juglindore. Shteti i brishtë shqiptar, i shpallur nga plaku i Vlorës, Iasmail Qemali, po rrezikohej të shpërbëhej. Gjithsesi, situatat u krijuan të atilla që Shqipëria shpëtoi, ashtu e dobët, e varfër, anarkike dhe pa qeveri.

Kur dhe ku ratë fillimisht në kontakt me idetë komuniste?
Me idetë komuniste, rashë në kontakt në Korçë, krejt natyrshëm. Në dyqanin e Sotir Vullkanit, ku u pajtova si shegert, kishin depërtuar prej kohësh, idetë punëtore të majta, që më pas, u shndërruan në ide social-demokrate. Siç thoshte Sotiri, këto ide, ishin futur me kohë, nga një grup udhëheqësish social-demokratë serbë.
Si një nga anëtarët e vjetër dhe më pas, drejtues i Grupit Komunist të Korçës, si dhe kur u krijua ky grup?
Në ato vite, unë punoja si ndihmës mjeshtër në dyqanin e Sotir Vullkanit. Mbaj mend, se Sotiri më ka thënë, aty nga muaji prill i vitit 1928, paralel me Grupin Komunist të Korçës, me bërthamë nga prejardhja jonë, punëtore e qytetare, ishte krijuar edhe një grup tjetër komunist, thuajse me të njëjtin program dhe statut si tonin, e vepronte kryesisht në rrethet intelektuale. Në të bënin pjesë: Todi Maliqi, student në Mjekësi, i cili kishte rënë në kontakt me idetë komuniste, që në universitet. Ky ishte dhe drejtues i këtij grupi. Anëtarë të tjerë të tij ishin: Naun Stralla, inxhinier, Vasil Balli, pronar i Fabrikës së Lëkurëve, Vaskë Mani, Anastas Plasari, Koço Jakova, Dhimitër Fallo, Sotir Gurra, e ndonjë tjetër, që mua nuk më kujtohet, sepse qysh atëherë kanë kaluar 70 vjet.

Këta shokë, kanë bërë disa mbledhje jashtë qytetit, në natyrë, në kodrën e Shën Ilisë, hartuan programin dhe statutin, i mirë-faktuan rregullisht këto dokumente dhe i groposën, diku në një trung peme, që e quajtën “trungu i pemës së grupit”. Me kalimin e viteve, ky grup komunist, i pajisur me kulturë teorike mjaft të mirë, përbëhej nga intelektualë dhe studentë të ardhur kryesisht nga universitete të huaja, por duke mos pasur bazë të gjerë në klasën punëtore dhe shtresat qytetare, u shkri në grupin tonë. Pranë Grupit Komunist të Korçës, u afruan shumë intelektualë demokratë anti monarkistë dhe antifashistë, që e urrenin ndërhyrjen e forcave fashiste, në Republikën e Spanjës, zgjerimin e nazizmit në Gjermani dhe militarizmit japonez. Këta, së bashku me ne, e urrenin sinqerisht krijimin e boshtit antikomitern Berlin-Romë-Tokio.

Doemos, që ne urrenim edhe futjen e Rumanisë, Bullgarisë dhe Hungarisë, në përkrahje të këtij boshti. Intelektualët më të shquar, që u renditën përkrah nesh, ishin: Kristo Kono, muzikant i shquar, Kristaq Cepa, arsimtar i respektuar, Manol Konomi, jurist me kulturë të madhe, e të tjerë. Më pas, u antarësuan në Grupin Komunist të Korçës, në vitet ‘30-të e më tej, shumë njerëz të shquar, si: Kiço Kasapi, Kostika Kulla, Demir Pojani, Stavri Themeli, Esat Molla, Kiço Nedelli, Llambi Dishnica, Stefo Grabocka, Miço Simo, Mina Uçi, Kleopatra Maliqi, Ollga Mitrushi, Maku (Mandi Koçi), Nasi e Llazi Mitrushi, Petro, Misto e Dhimitër Treska, vëllezrit Shamblli, Teni Konomi, Vaskë Treska, Mihallaq Gjinikasi, Pirro Tërpo, Nesti Kerenxhi, Teni, Dhori dhe Ilektra Samsuri, Raqi Kerenxhi, Lefteri Gjoka, Vaskë Gjino, Peço Nedelli, Bardhyl Pojani, Stavri e Nasi Kostallari dhe shumë e shumë të tjerë.

Sigurisht, të gjithë këta të rinj, drejtoheshin nga bërthama fillestare dhe e përhershme e GKK-së: Sotir Vullkani, Koçi Xoxe, Miha Lako, Koço Tashko, Pilo e Gaqo Peristeri. Më kujtohet, se në këto vite, sasia numerike e GKK-së, arriti mbi 120-150 vetë. Në këto kushte, krijuam bërthamën tonë në Pogradec, me shokët Nuçi Tira, Koli dhe Pirro Gusho, Llazi Mëngri, Llazi Angjeli, Myfit Guxholli, e të tjerë. Në Bilisht e Devoll, me shokun tonë të vjetër Kaçani, emri i të cilit nuk më kujtohet mirë, Lefter Lakrorin, Janaq Karapataqin, Fuat Babanin, Jorgo Plaku, Maqo Çomo, e të tjerë. Në Ersekë, me Josif Pashkon, Mitraq Vodicën, Çome Vodica, Xhaferr Lubonja, Ilmi Selenica, Bexhet Selenica, Sulo Kozeli, Skëndër Selenica e të tjerë. Në Kuçovë, veteranin Mafuz Lazen. Në Berat, Gjin Marku, Koli Myzeqari, vëllezërit Sallabanda, e të tjerë. Në Fier, Sokrat Bufi, Muzafer Trebeshina, etj.
Në Durrës, Sotir Vullkanin, Abaz Kondin, Telat Nogën, Sotir Nogën, Nako Spirun. Në Tiranë, grupi ynë krijoi një bërthamë të fuqishme komuniste, me Anastas Lulën, Sadik Prenten, Ilo Pandukun, Pali Tërrovën, Xhavit Qesen, Kristo Frashërin, Neki Çakërrin, e shumë të tjerë, të cilët më pas, u shkëputën prej nesh dhe, fillimisht, krijuan një fraksion të Grupit Komunist të Korçës, e më pas, si rezultat i punë sonë të dobët, u ndanë si fraksion më vete.

Po ju kur u pranuat në radhët e Grupit Komunist të Korçës?
Mbaj mend, se në fillimet e themelimit të Grupit Komunist të Korçës, nuk ishte fort e lehtë pjesëmarrja, por edhe rregullat që vendosëm më pas, ende nuk ekzistonin. Në fillimet e vitit 1930, Sotir Vullkani, më ka komunikuar se isha pranuar në Grup që nga themelimi i tij, ç’ka nuk përputhet plotësisht me atë që ka thënë Enver Hoxha, në librin “Kur Lindi Partia”, sepse, ne kishim kryesinë e grupit, e cila i respektonte rregullat e rotacionit me rigorozitet, ku kanë qenë si kryetar Sotiri, Koçi Xoxe, Miha Lako e Koço Tashko, i cili kishte sekretarin e celulës së parë komuniste, Nesti Gambeta, e të tjerë. Përveç të tjerash, grupi gradualisht, krijoi një bazë të mirë botimesh, përkthimesh, një arkiv të pasur fotografik.

Shumë fotografi të asaj kohe, të një kualiteti për t’u pasur zili. A mund të na thoni se kush i ka realizuar ato?
Thuajse të gjitha fotot, që kanë mbetur nga këto aktivitete të paharruara, por edhe nga aktivitete të një rëndësie të madhe për historinë kombëtare, i ka realizuar me shumë pasion e nivel të lartë artistik, shoku ynë Mandi Koçi, anëtar i vjetër i Grupit Komunist të Korçës, aktivist dhe antifashist i orëve të para, i cili, ndonëse i sëmurë rëndë, u dënua 25 vjet burg politik. Teknika e Grupit Komunist të Korçës, (kam parasysh atë të botimeve dhe foto-arkivin), dhe më vonë ajo e Partisë Komuniste Shqiptare, ishte vendosur me shumë kujdes në laboratorin e mirënjohur “MAK”, në qendër të Korçës.
Mandi Koçi, pasi studioi fillimisht në Beograd, e më pas në Moskë, u bë operatori i parë shqiptar i filmit të parë artistik shqiptar “Tana”. Ai, punoi thuajse të gjithë dokumentarët artistikë dhe kronikalë shqiptarë, në bashkëpunim me regjisorin e talentuar sovjetik, Ilia Kopalin. Gruaja e tij, Roza Koçi, ishte bashkautore e të parit fjalor shqip-rusisht. Duhet thënë se Maku, (Mandi Koçi), ka një vajzë në Rusi, që jam i bindur se nuk e njeh të gjithë tragjedinë që ka pësuar i ati. Mandi Koçi, për veprimtarinë e tij të shquar antifashiste, u internua në Porto Romano, së bashku me Pëllumb Dishnicën, Todi Maliqin, Mit’hat Frashërin, Zai Fundon, Manol Konomin, Stefo Grabockën, Safet Butkën, Mina Uçin, Reshit Çollakun, Sadik Bekteshin, Qazim Kapisyzin, Spiro Shalësin, e të tjerë.

Ky artist, me shpirt të madh human, u lirua nga internimi vetëm kur kapitulloi Italia fashiste, me ndërhyrjen e posaçme pranë Vatikanit, të personalitetit të madh shqiptar, Eqerem Çabej. Ky personalitet i fuqishëm, i artit fotografik dhe kinematografik shqiptar, personalitet i shquar i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, që unë pa ngurim do ta krahasoja si nxënës të denjë të fotografëve të mëdhenj shqiptarë, si: Marubi, Sotiri, Burda, Sulidhi, e të tjerë, është lënë në harresë. Ai vdiq më 23 mars të vitit 1986, kur u lirua nga burgu, në një gjendje të mjeruar e katastrofike shëndetësore, e ç’njerëzisht u braktis, në një azil mjeran të Tiranës, deri sa ndërroi jetë.

Si veteran i Lëvizjes Komuniste Shqiptare, ç’mund të na thoni për Grupin Komunist të të Rinjve, sepse deri më sot, problemi i këtij Grupi, është trajtuar njëanshmërisht dhe është trajtuar pa asnjë oponencë të trajtimit alternativ?
Grupi Komunist i të Rinjve, i cili nuk ishte gjë tjetër, veçse një fraksion i bukur dhe alternativë e Grupit Komunist të Korçës, me qendër në Tiranë, kryesisht në shkollën e mesme teknike amerikane “Harry Fultz”, kishte grumbulluar rreth vetes, shumë simpatizantë të rinj dhe të reja të kryeqytetit e qyteteve të tjera, si: Durrësi, Vlora, Shkodra, Fieri, Elbasani, Kruja, Dibra etj. Ky grup komunist, kishte programin dhe statutin e vet, i cili nuk ndryshonte shumë nga statute dhe programe të grupeve të tjera. Ai, dënonte idetë fashiste dhe naziste e luftonte me të gjitha forcat, që këto ide, të mos përhapeshin kurrsesi në vendin tonë.

Përbërja e tij intelektuale dhe klasore ishte shumë e mirë, sepse nxënësit e shkollës teknike amerikane të Tiranës, ishin nga familje me prejardhje punëtore, intelektuale dhe atdhetare. Ata kishin në gjirin e tyre, anëtarë që njihnin disa gjuhë të huaja dhe lexonin literaturë përparimtare e demokatike. Veprimtaria e tij komuniste dhe antifashiste, shumë shpejt u shtri në të gjithë vendin dhe me pushtimin e Shqipërisë, më 7 prill 1939, ata u inkuadruan totalisht në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Morën pjesë në revoltat dhe demonstratat e para antifashiste, njëlloj si të gjithë anëtarët e grupeve komuniste, në mos më shumë, dhe më ashpër se të tjerët.

Nga gjiri i këtyre anëtarëve, të cilët mundën të shpëtojnë gjallë deri në ditët tona, kanë dalë intelektualë të mirëfilltë të fuqishëm, por duhet theksuar se nga masat represive të Partisë Komuniste Shqiptare kundër këtij grupi, janë asgjësuar, përveç kryetarëve të tij, një sasi e jashtëzakonshme, me gjyq dhe pas shpine, anëtarësh dhe simpatizantësh të Grupit të të Rinjve. Është për të ardhur keq se, unë si komunist i vjetër, por i represuar, që nga viti 1948, nuk kam mundur të shfaq mendimin tim pozitiv, të paktën për rehabilitimin moral dhe real të këtij segmenti, shumë simpatik të Lëvizjes Komuniste Shqiptare.

Për më keq akoma, nga aktiviteti i ashpër sektar i Dushan Mugoshës dhe Liri Gegës, anëtarët e simpatizantët e këtij grupi, shumë nga gabimet fillestare të Partisë Komuniste Shqiptare, nuk i pranuan si vendime të mirëfillta, që duheshin zbatuar rigorozisht. Në kushtet e pushtimit fashist të vendit, u godit grupi fraksionist i Vlorës, që drejtohej në atë kohë nga Pali Tërrova, përveç Anastas Lulës dhe Sadik Premtes, që ishin kryetarë të tij. Në aktivitetin e këtij grupi, është përfshirë dhe dënuar nga PKSH-ja edhe Jorgo Plaku, nxënës i shkëlqyer i Shkollës Teknike Amerikane dhe njëri nga ilegalët e parë në Shqipëri.

Kush ndikoi në goditjen e mëvonshme të Grupit të të Rinjve?
Këta të rinj, të shkathët, të zellshëm dhe me shumë kulturë, u quajtën ‘Grupi Komunist i të Rinjve’, i cili, mund të them me plot bindje, se si rezultat i qëndrimeve tona sektare, por me ndërhyrjen e jugosllavëve, është dënuar padrejtësisht nga PKSH-ja. Ky grup kishte mendime dhe programe alternative komuniste dhe pranoi vullnetarisht, me plot sinqeritet, të bashkohej në Partinë Komuniste Shqiptare dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por, sidomos Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha dhe Enveri, por edhe ne të tjerët, mbajmë përgjegjësi më të rëndë për luftën e heshtur, të rëndë dhe të hapur që ju shpall këtij grupi. Unë, fillimisht, nuk e kuptoja luftën e pa pajtuar dhe pa princip, që i bëhej këtij grupi, sidomos kur shikoja që shumë nga anëtarët e tij, ishin shokët tanë, komunistë po aq të vendosur, sa edhe ne.

Sot, kur mbi supet e mija rëndojnë 80 vjet plot përpjekje, luftë, por edhe 25 vjet persekucion personal e familjar, them se, shumë çështje të rëndësishme, që kanë të bëjnë me historinë e Lëvizjes Komuniste e Punëtore Shqiptare e të PKSH-së e PPSH-së, e cila ishte parti në pushtet dhe e vetme, problemet e saj janë të baras-vlefshme me problemet e historisë së vendit të asaj periudhe, duhen ri parë në themel dhe duhen rishkruar nga historianë specialistë. Nuk është si sot, që u zyrtarizua pluralizmi dhe partitë politike nuk kanë atë autoritet që gëzonte dhe ushtronte PKSH e PPSH, në kohën e sundimit të tyre. E them këtë, pa asnjë hezitim, sepse përvoja ime e gjatë dhe përjetimet e mija të persekucionit të vështirë, më kanë nxjerrë në këto konkluzione.
Pandi Kristo, nga lufta në pranga…!

Pandi Kristo, u lind në Korçë më 29 korrik 1914, në një familje punëtore me ndjenja atdhetare. Arsimin fillor dhe atë unik e mori në vendlindje, por për arsye ekonomike të vështira, nuk e vazhdoi më tej shkollimin, por bëri çmos që, vëllai dhe motrat e tij, të shkolloheshin më së miri. Shumë i ri u fut në punë, si këpucar në punishten e Sotir Vullkanit, themelues i Grupit Komunist të Korçës dhe më pas në punëtorinë “Titan”, qendër e rëndësishme e Grupit Komunist të Korçës. Pandi Kristos, shumë shpejt i ranë hallet e jetës dhe të familjes mbi shpatulla, për t’i zgjidhur ato, por kuptoi edhe problemet sociale që kishte shoqëria shqiptare. Ai, ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kulturore, revoltat dhe demonstratat që organizonte shoqëria “Puna”, kundër regjimit dhe revoltat e Grupit Komunist të Korçës, kundër pushtuesve fashistë, si një nga drejtuesit kryesorë të atij grupi.

Në janarin e vitit 1938, në gjyqin kundër komunistëve që u zhvillua në Tiranë, (gjyqi i Qemal Stafës, Vasil Shantos, etj.), u dënua dhe u burgos në Mbrezhdan të Beratit. Kur qëndrimi në qytet iu bë i pamundur, doli në mal dhe me krijimin e Shtabit të Qarkut të Korçës, u emërua komisar i tij. Në Konferencën e Parë të Vendit, që u organizua në Labinot, në muajin mars të vitit 1943, zgjidhet anëtar i Komitetit Qendror të PKSH-së. Ndërsa, në Kongresin e Parë Antifashist, që u mblodh në Përmet, më 24 maj të vitit 1944, u zgjodh anëtar i kryesisë të Këshillit të Përgjithshëm Antifashist Nacionalçlirimtar. Në këtë kohë, zëvendëson Bedri Spahiun, në detyrën e komisarit të Zonës së Parë Operative Vlorë – Gjirokastër – Përmet – Tepelenë – Mallakastër.

Në Plenumin e Dytë të Komitetit Qendror të PKSH-së, që u mblodh në tetor të vitit 1944, u zgjodh anëtar i Byrosë Politike të PKSH-së dhe emërohet edhe shef i Shërbimit të Fshehtë Informativ. Menjëherë, pas çlirimit të plotë të vendit, emërohet Sekretar Politik i Komitetit Qarkor të Partisë në zonën Tiranë-Durrës (1945), mandej transferohet pranë aparatit të KQ të PKSH-së. Në vitin 1946-’47, caktohet kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit dhe në vitin 1948, ministër pa Portofol. Në Plenumin e 11-të të KQ të PKSH-së, merren masa të rënda partie dhe administrative dhe në Kongresin e Parë të PKSH-së, kritikohet dhe akuzohet, së bashku me Koci Xoxen dhe grupin e tij, “për veprimtarinë agjenturore pro-jugosllave, antishqiptare dhe antisovjetike”, e të tjera.
Përjashtohet nga Byroja Politike, Komiteti Qendror i PKSH-së dhe gjithashtu edhe nga Partia. Më 28 nëntor të vitit 1948, arrestohet në Selinë e Komitetit Qendror, mandej hetohet, gjykohet dhe dënohet me 20 vjet heqje lirie. Dënimin e ka kryer në Tiranë, në Burgun e Vjetër, në Burgun e Ri, në atë të Artizanatit dhe në Burrel. Në tetor të vitit 1963, u lirua nga burgu i Burrelit dhe jetoi në qytetin e Lushnjës, si i dëbuar, ku ushtroi profesionin e këpucarit. Në vitin 1991, me shpërndarjen e Komisionit famëkeq të Dëbim-Internimeve, u kthye në Tiranë. Ai ishte deputet i Kuvendit Popullor në legjislaturën e parë, për qytetin e Korçës. Është dekoruar me shumë urdhra dhe medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, por ende, i pa rehabilituar. Vdiq në Tiranë, më 2 tetor të vitit 1994. /Memorie.al

foto galeri

foto galeri

foto galeri

 

Fraksion.com